E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ulja e TVSH-së në 6% për produktet bazë, shtohen uji dhe produktet higjienike për gratë e fëmijët! “Ekonomia” voton

Ulja e TVSH-së në 6% për produktet bazë, shtohen uji dhe produktet higjienike për gratë e fëmijët! “Ekonomia” voton

Uji, produktet e higjienës menstruale për gratë dhe pelenat për fëmijët janë përfshirë në listën e produkteve që do të kenë TVSH të reduktuar në 6%, sipas ndryshimeve të miratuara nga Komisioni i Ekonomisë në projektligjin për TVSH-në, pjesë e paketës fiskale të Buxhetit 2027.

Një nga propozimet e miratuara është ai për produktet e higjienës menstruale, për të cilin deputeti socialist Erion Braçe ka katër vite që kërkon me ngulm uljen e TVSH-së.

Gjatë diskutimeve në komision, Braçe theksoi se kjo masë është në përputhje me direktivën e Bashkimit Europian.

Ndërkohë, deputeti Çakërri kërkoi që në listën e produkteve me TVSH 6% të përfshihej edhe uji, duke argumentuar se kostoja për buxhetin nuk është e madhe.

“Teksa flasim për buxhetin social, nuk mund të mos fusim ujin në skemë. Kostoja për ta futur ujin në skemë nuk është e madhe. Uji nuk është produkt që negociohet”, tha ai.

Ministria e Financave kundërshtoi propozimet, ndërsa për çështjen e ujit argumentoi se po mendohet që uji i çezmës të jetë i pijshëm. Kjo solli edhe debate me Braçen, i cili kundërshtoi krahasimin e ujit të çezmës me atë të ambalazhuar.

Me propozim të deputetit Kadeli, komisioni miratoi edhe uljen nga 20% në 6% të TVSH-së për projektimin e ndërtimeve të dedikuara sportit.

Projektligji u miratua me 10 vota pro, përfshirë edhe ato të deputetëve të opozitës Edmond Haxhinasto dhe Enno Bozdo, dhe pritet të kalojë për shqyrtim në seancën plenare të 26 nëntorit.

Lini një koment