E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Goditje të fortë të krimit të organizuar, policia shqiptare marrëveshje me atë britanike

Goditje të fortë të krimit të organizuar, policia shqiptare marrëveshje me atë britanike

Policia e Shtetit shqiptar dhe agjencitë ligjzbatuese britanike pritet të intensifikojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Në një takim të zhvilluar në Tiranë, palët kanë diskutuar zgjerimin e partneritetit dhe shtimin e operacioneve të përbashkëta.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, priti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme Koordinatorin e Policive Britanike për Ballkanin Perëndimor, Nick Bellingham, dhe delegacionin që e shoqëronte.

Gjatë takimit, ku morën pjesë edhe drejtues të departamenteve të Policisë Kriminale, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Institutit të Policisë Shkencore, u vlerësuan rezultatet e deritanishme të bashkëpunimit dhe u përcaktuan fushat ku do të përqendrohen përpjekjet e ardhshme.

Kreu i Policisë së Shtetit vlerësoi kontributin e agjencive britanike, duke veçuar si shembull të suksesshëm Task-Forcën e përbashkët kundër migracionit të paligjshëm, e cila, sipas tij, ka sjellë rezultate konkrete dhe goditje ndaj grupeve të krimit të organizuar.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit është shkëmbimi i ekspertizës dhe asistenca e ndërsjellë në fushën e Policisë Shkencore, që ka ndikuar në forcimin e kapaciteteve hetimore dhe dokumentimin e provave.

Nga ana e tij, Nick Bellingham e cilësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit si një model të suksesshëm të partneritetit ndërkombëtar, duke shprehur gatishmërinë e palës britanike për të vijuar mbështetjen.

Në fokus të bashkëpunimit të ardhshëm do të jetë ngritja dhe shtimi i ekipeve të përbashkëta hetimore për goditjen e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, si dhe specializimi i strukturave shqiptare në luftën kundër krimit kibernetik dhe pastrimit të parave, përmes trajnimeve dhe ekspertizës britanike.

Palët diskutuan gjithashtu për asistencën teknike dhe profesionale për përfundimin e procesit të akreditimit të Institutit të Policisë Shkencore, me synim garantimin e standardeve më të larta në ekspertizën kriminalistike dhe hetimet policore.

Lini një koment