“Golden Sabre” , demonstrim praktik, aftësi operacionale e reagim – fotografi nga ushtrimi i FSK-së me Policinë, KFOR-in e EULEX-in
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mori pjesë në ushtrimin fushor “Golden Sabre”, të organizuar nga misioni i KFOR-it, ku janë të përfshira institucionet e sigurisë në Kosovë si KFOR-i, Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME).
Ushtrimi synon forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, avancimin e ndërveprueshmërisë dhe ngritjen e gatishmërisë për reagim të përbashkët ndaj situatave të ndryshme të sigurisë.
“Në ditën e sotme, institucionet pjesëmarrëse të sigurisë përmbyllën ushtrimin me demonstrime praktike në Kampin e Vrellës, ku u prezantuan aftësitë operacionale, procedurat e reagimit dhe koordinimi ndërmjet institucioneve në skenarë të ndryshëm të situatave emergjente dhe të sigurisë. FSK dëshmon përkushtimin për bashkëpunim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe institucionet e tjera të sigurisë në Kosovë, duke kontribuar në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/