FRANKFURT – Lagarde: Evropa duhet të veprojë përpara se krizat të bëhen të pakthyeshme
FRANKFURT, 20 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, i bëri thirrje Evropës të veprojë më shpejt dhe në mënyrë më vendimtare përballë krizave globale, duke paralajmëruar se vonesat në marrjen e vendimeve, po dëmtojnë konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike të Bashkimit Evropian.
Gjatë fjalimit në Kongresin Evropian të Bankave në Frankfurt, Lagarde kritikoi mënyrën se si institucionet dhe qeveritë evropiane reagojnë ndaj problemeve ekonomike dhe gjeopolitike, duke theksuar se rreziqet shpesh identifikohen në kohë, por masat merren vetëm kur pasojat bëhen të pamundura për t’u shpërfillur.
“Ne mund ta shohim problemin herët, por reagojmë vetëm kur ai bëhet aq serioze sa nuk mund të shpërfillet më. Në atë moment, është tepër vonë”, deklaroi ajo.
Sipas Lagarde, një nga pasojat e kësaj vonese është humbja e kapaciteteve industriale.
Kur kompanitë dhe sektorët e prodhimit zhvendosin aktivitetin e tyre jashtë Evropës, rikthimi i tyre bëhet shumë i vështirë.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se varësia nga furnizuesit e huaj për produkte, teknologji dhe burime strategjike, mund të përdoret si instrument presioni ndaj vendeve evropiane.
“Nëse një varësi është përdorur kundër nesh, sovraniteti ynë është tashmë i ekspozuar”, theksoi Lagarde.
Tregjet e kapitalit, një dobësi e pazgjidhur e Evropës
Si shembull të mungesës së vendimmarrjes, presidentja e BQE-së, përmendi krijimin e Unionit të Tregjeve të Kapitalit, një projekt që synon integrimin e tregjeve financiare të vendeve të BE-së dhe lehtësimin e financimit të bizneseve.
Megjithëse nevoja për këtë bashkim diskutohet prej më shumë se një dekade, përparimi ka qenë i ngadaltë.
Sipas Lagarde, mungesa e një tregu të integruar, bën që një pjesë e konsiderueshme e kursimeve evropiane, të investohet jashtë kontinentit, ndërsa kompanitë e reja dhe bizneset me potencial rritjeje, detyrohen të kërkojnë financim në tregje të tjera, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo theksoi se çdo vit pa një treg të përbashkët kapitalesh, përfaqëson një humbje për ekonominë evropiane, por asnjë humbje e vetme vjetore nuk është konsideruar deri më tani aq e madhe sa të kapërcejë rezistencën ndaj reformave.
Unioni i Tregjeve të Kapitalit synon të lejojë që kursimet dhe investimet, të qarkullojnë më lehtë ndërmjet vendeve anëtare, duke u dhënë bizneseve më shumë mundësi financimi dhe duke ulur varësinë nga kreditë bankare.
Varësia teknologjike dhe inteligjenca artificiale
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Lagarde është varësia e Evropës nga teknologjia dhe infrastruktura digjitale e vendeve të tjera, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale.
Sipas vlerësimeve të përmendura prej saj, nevojiten rreth 1,3 trilionë euro investime për të rritur pjesën e Evropës, në kapacitetin global të përpunimit kompjuterik për inteligjencën artificiale nga rreth 5% aktualisht në 15% deri në vitin 2030.
Kapaciteti kompjuterik i referohet infrastrukturës së nevojshme për përpunimin e sasive të mëdha të të dhënave dhe funksionimin e modeleve të avancuara të inteligjencës artificiale, përfshirë qendrat e të dhënave dhe procesorët e specializuar.
Lagarde vuri në dukje se, për sa kohë kompanitë dhe institucionet evropiane mund të blejnë shërbime kompjuterike nga ofruesit e huaj dhe të kenë akses në modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale, qeveritë e kanë më të vështirë të justifikojnë investime kaq të mëdha për ndërtimin e kapaciteteve të tyre.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se kjo varësi mund të kthehet në një rrezik serioz, në rast të krizave ndërkombëtare, kufizimeve tregtare ose konflikteve gjeopolitike. /