Blushi në UET për librin e fundit “Historitë e Çmendura të Tiranës”: Personazhet e mi janë të vdekur ose të çmendur
“Personazhet e mi janë të vdekur ose të çmendur,” kjo ishte përgjigjja e shkrimtarit Ben Blushi në auditorin e Universitetit Evropian të Tiranës, mbi përfshirjen në librin e tij të fundit “Historitë e çmendura të Tiranës” të 100 personaliteteve që kanë jetuar përgjatë 400 viteve të fundit në qytetin e Tiranës.
Mbi këto dy kritere, Blushi pranoi se ka përfshirë figura të njohura e të panjohura, duke lënë jashtë me vetëdije të tjerë, si Ismail Kadare apo Dritëro Agolli, që ndoshta lexuesi i pret në faqet e librit.
Blushi tha se shkrimtarët sot e kanë humbur ndikimin dhe peshën që kishin në vitet 1800-1900. Sipas tij, në këtë periudhë është krijuar letërsia më e mirë dhe klasikët e asaj kohe ne vazhdojmë t’i lexojmë edhe sot, si Dostojevski, Pushkini, Gogoli, Viktor Hugo, Alexandre Dumas, Flaubert, Goethe etj.
“Si shkrimtar para 50 apo 100 vjetësh ishe një lloj stari, një yll. Sot yjet nuk janë më ata që shkruajnë, bëjnë libra, por janë ata që dalin në Instagram. Pra, bota ka ndryshuar shumë shpejt. Disa zanate, sidomos që merren me shpirtin më shumë, se shpirti është i padukshëm, nuk del në Instagram ose në Facebook, këto po avullojnë. Shkrimtarët, për fat të keq, nuk e kanë sot më peshën e shumë viteve më parë, kur teknologjia nuk e kontrollonte botën kaq shumë sa sot”, është shprehur Blushi.
Përveç diskutimit për librin dhe letërsinë, Blushi u nderua me Certifikatë Mirënjohjeje nga Universiteti Europian i Tiranës, “për kontributin pionier në prozë e eseistikë shqipe, finesën stilistike dhe promovimin e vlerave krijuese, që mishërojnë frymën e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale”.
Ndërkohë, pesidenti i UET, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, e cilësoi Blushin një fenomen të letërsisë shqipe.
“Njeriu i mençur e di ku është vendi më i çmuar për ta harxhuar kohën e tij. Ndoshta politika e humbi një personalitet si Blushi, por nga ana tjetër e fitoi bota e letrave dhe mendoj që sot zoti Blushi përbën një nga penat, një nga fenomenet letrare të padiskutueshme. Unë vetë jam një admirues dhe lexues i veprave. Më kanë ngelur shumë në mendje nga ato, por të jetosh në Ishull ka qenë për mua ndoshta libri më interesant”, tha Prof. Xhepa.
Nga “Të jetosh në ishull”, libri i parë që e prezantoi si shkrimtar në vitin 2008, te “Historitë e çmendura të Tiranës”, i dalë së fundmi në librari, Ben Blushi numëron dhjetëra tituj, personazhe dhe histori përgjatë karrierës së tij letrare gati 20-vjeçare, duke lënë kontributin e tij në letërsi dhe kulturën shqipe.
“Shpresoj shumë që letërsia të mbijetojë dhe këto janë arsyet pse ne shkrimtarët shkruajmë akoma dhe e bëjmë këtë zanat”, ka përfunduar Blushi.