Kallëzime për evazion fiskal e fshehje pasurie, SPAK regjistron procedim penal për bizneset e familjarëve të Spiropalit
Një kallëzim penal i Drejtorisë së Tatimeve, i shoqëruar edhe me dokumente, është depozituar në Prokurorinë e Posaçme ndaj bizneseve të familjarëve të ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, e përjashtuar së fundmi nga forumet e Partisë Socialiste, siç njofton Shqiptarja.com.
Sipas burimeve pranë SPAK-ut, në qendër të kallëzimit është Salarjon Totaj, bashkëshorti i Spiropalit, dhe familjarët e tij, dhe kallëzimi lidhet me bizneset që ai zotëron. Akuzat, siç njofton Shqiptarja.com, shkojnë nga evazioni fiskal te fshehja e pasurisë.
Kallëzimi mësohet se e ka kaluar filtrin paraprak dhe në SPAK është regjistruar një çështje penale. Prokuroria e Posaçme nuk ka bërë komente për rastin dhe nuk dihet nëse po hetohet edhe roli i vetë Spiropalit.
Deputetja Spiropali ka pretenduar më herët se është kërcënuar nga zyrtarë të Administratës Tatimore që kanë zbarkuar në bizneset e familjes së saj, ndërsa drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj, deklaroi se kontrollet kishin evidentuar dyshime për evazion të madh dhe se dosjet do t’u referoheshin organeve ligjzbatuese. Fakt është, siç njofton Shqiptarja.com, se tashmë në SPAK ekziston një dosje për këtë çështje.