Alarm për bombë në avionin Manchester-Tiranë, gjendet letër kërcënuese në tualet
Rreth orës 19:30 të datës 20 nëntor, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas, u ngrit alarm për bombë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Siç njofton BalkanWeb, menaxheri i aeroportit njoftoi Policinë Kufitare se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër e shkruar në anglisht, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Sipas njoftimit të Policisë, të cituar nga BalkanWeb, shërbimet e policisë ndërhynë menjëherë në pistë dhe organizuan zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve nga avioni, duke marrë masat e nevojshme për sigurinë e tyre.
Më pas u krye një kontroll i imtësishëm i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve, edhe me qen anti-eksploziv. Pasagjerët u kontrolluan në grupe, fillimisht nga punonjësit e policisë dhe më pas përmes skanerëve të aeroportit, për të identifikuar sende që mund të ndihmojnë në zbulimin e autorit të mesazhit kërcënues.
Nga kontrolli i avionit nuk u gjet asnjë send shpërthyes, çka e zbuti alarmin e ngritur pas gjetjes së letrës në tualet.
Për ngjarjen u njoftua edhe struktura Anti-Terror, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën kërcënuese.