E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›PS ndez motorët për zgjedhjet vendore, Leka: Demo dhe Koçiu tregojnë se gara në Tiranë merret seriozisht

PS ndez motorët për zgjedhjet vendore, Leka: Demo dhe Koçiu tregojnë se gara në Tiranë merret seriozisht

Socialistët kanë ndezur motorët e fushatës për zgjedhjet vendore të 9 majit. Ministra dhe drejtuesit politikë të qarqeve do të intensifikojnë takimet me qytetarët dhe komunikimin me ta.

Me vëmendjen kryesore tek gara për kryeqytetin, Asambleja e Tiranës do të diskutojë të shtunën organizimin elektoral të socialistëve për fushatën që do të drejtohet nga dy emrat e rinj, Ervin Demo dhe Albana Koçiu.

Ky zhvillim në radhët e Partisë Socialiste u komentua nga analisti Martin Leka në “Tirana Live”, i cili u shpreh se angazhimi i dy figurave të njohura të PS-së në Tiranë tregon se partia po e trajton me seriozitet garën elektorale të 9 majit 2027.

Ai theksoi se PS është një makinë e mirëfilltë elektorale dhe caktimi i Ervin Demos dhe Albana Koçiut si drejtues politikë për Tiranën është zhvillim pozitiv për PS-Në.

“Fakti që PS, para pak ditësh, siç e thatë edhe ju, ka deleguar në Tiranë dy prej emrave të njohur në PS, zv.kryeministren Koçiu dhe ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, tregon se PS e ka marrë shumë seriozisht këtë situatë në prag zgjedhjesh. PS është një makinë e vërtetë elektorale.

PS edhe në këto zgjedhje do jetë e aftë të kryejë atë punë dhe të pretendojë seriozisht për një fitore të rëndësishme në shkallë absolute të pushtetit vendor në zgjedhjet e 9 majit të vitit që po vjen. Mund të ketë edhe surprizë”, u shpreh Leka.

Duke iu referuar reagimeve të Erion Veliajt dhe Elisa Spiropalit, Leka deklaroi se, ata nuk kanë peshën e nevojshme për të ndikuar në zhvillimet e brendshme të partisë.

“Qoftë Veliaj, qoftë kjo deputetja tjetër e PS-së, gruaja e inatosur pas shkarkimit nga ministre e Jashtme, nuk kanë peshën që mund të krijonin në një parti, e cila do të ishte më e hapur. Në kushtet aktuale, mendoj se Veliaj, qoftë kushdo tjetër, në këto kushte kur del kundër vijës së PS-së dhe kryetarit të saj, është i destinuar të dështojë”, deklaroi ai.

Ai theksoi se Spiropali nisi të sulmojë Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj, në momentin kur u shkarkua nga posti i ministres së Jashtme. Leka e cilësoi Spiropalin si një grua të inatosur, e cila sipas tij do të ‘mbytet’ në helmin e vet

“Spiropali ka thjesht hallin e vet. Mendoj se nuk ia vlen fare të diskutohet me një njeri të përjashtuar, ose më saktë me një grua të inatosur, e cila do të ‘mbytet’ në helmin e vet, pasi i gjithë kontributi i saj nuk vjen si rezultat i aktivizimit në PS, por vjen si pasojë e kontributit kundër PS-së, që dikur drejtohej nga Fatos Nano.

U ngrit kundër PS-së dhe Edi Ramës vetëm kur u shkarkua nga ministre e Jashtme. Në këto kushte, çdo njeri me intelekt edhe modest, e kupton se është thjesht një inat i mbartur, i cili në fund të fundit thjesht thyen enën e vet”, theksoi Leka.

Lini një koment