E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Alarm për bombë në avionin Manchester–Rinas, kontrollohen pasagjerët dhe bagazhet

Alarm për bombë në avionin Manchester–Rinas, kontrollohen pasagjerët dhe bagazhet

Një mesazh kërcënues për bombë është gjetur në tualetin e avionit të linjës Manchester–Rinas, gjatë uljes në aeroportin e Tiranës, mbrëmjen e kësaj të premte.

Pas njoftimit, Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke organizuar zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve dhe kontrolle të imtësishme të avionit, bagazheve dhe udhëtarëve.

Gjatë kontrollit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes, ndërsa Antiterrori dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për identifikimin e personit që ka shkruar mesazhin kërcënues.

NJOFTIMI:

Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.

Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.

Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.

Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.

Lini një koment