E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare ikona e gazetarisë italiane, Corrado Augias

Ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare ikona e gazetarisë italiane, Corrado Augias

Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare ikona e gazetarisë italiane, Corrado Augias. Ai konsiderohej një nga figurat më të rëndësishme të gazetarisë italiane, me një karrierë që shtrihej në më shumë se gjashtë dekada.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u bë i ditur nga gazeta italiane La Repubblica, me të cilën Augias kishte bashkëpunuar që nga themelimi i saj.

“Me vdekjen e Corrado Augias, gazetaria italiane humbet një pikë referimi të pazëvendësueshme. Gazetar, eseist, dramaturg dhe prezantues, Augias ishte një intelektual i aftë të kuptonte ndryshimet e shoqërisë italiane në çdo epokë dhe t’i pasqyronte ato me autoritet”, thuhet në një deklaratë të drejtuesve të sindikatës së gazetarëve të televizionit publik italian, Usigrai.

Corrado Augias lindi në Romë më 26 janar 1935, në një familje me origjinë franceze. Ai u regjistrua në organizatën profesionale të gazetarëve më 1 prill 1969, megjithëse kishte nisur të punonte me televizionin publik italian Rai që në vitin 1960, vetëm gjashtë vjet pas fillimit të transmetimeve të këtij institucioni.

Gjatë më shumë se 60 viteve të veprimtarisë profesionale, Augias punoi si korrespondent dhe kolumnist për gazetën La Repubblica. Nga viti 2001 deri në vitin 2021, ai drejtoi rubrikën e letrave të lexuesve, ku publikoheshin korrespondencat e qytetarëve me gazetën.

Përveç gazetarisë së shkruar, Augias u bë një figurë shumë e njohur edhe në televizionin italian. Ai dallohej për stilin elegant, komunikimin e sjellshëm, por njëkohësisht këmbëngulës, si edhe për ironinë me të cilën zhvillonte bisedat me të ftuarit e tij.

Një nga programet që i solli më shumë popullaritet ishte Telefono Giallo, një emision i konceptuar dhe drejtuar prej tij në Rai nga viti 1987 deri në vitin 1993, i përqendruar te çështjet e njohura kriminale të pazgjidhura.

Një nga episodet më të njohura të këtij programi u transmetua më 6 maj 1988, kur një ushtarak, i cili kishte qenë në detyrë në kohën e tragjedisë së Ustikës, telefonoi në emision dhe dha informacione të panjohura më parë. Këto dëshmi nxitën prokurorin e asaj kohe, Paolo Borsellino, të rihapte çështjen.

Në vitet e fundit, Augias ishte angazhuar kryesisht në televizionin La7, ku drejtonte programin La Torre di Babele. Paralelisht me gazetarinë, ai pati një karrierë të suksesshme edhe si autor romanesh kriminale dhe veprash eseistike.

Lajmi për vdekjen e Corrado Augias u njoftua edhe në Senatin italian, gjatë diskutimeve për dekretligjin për arsimin. Ishte kryetarja e grupit parlamentar të Italia Viva, Raffaella Paita, ajo që njoftoi senatorët për ndarjen e tij nga jeta.

“Sapo morëm vesh për vdekjen e Corrado Augias dhe do të dëshiroja që kjo sallë ta nderonte me një duartrokitje”, deklaroi Paita.

Senatorët e mazhorancës dhe opozitës iu bashkuan një duartrokitjeje të gjatë në kujtim të gazetarit dhe intelektualit italian.

Edhe presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, iu bashkua ngushëllimeve, duke kërkuar që të mbahej një moment heshtjeje.

Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, përkujtoi figurën e Augias përpara mbledhjes së këshillit bashkiak.

“Corrado Augias ishte një figurë e madhe e kulturës dhe gazetarisë, një intelektual i angazhuar dhe një qytetar romak, të cilit i detyrohemi shumë. Dua të shpreh gjithë dhimbjen time personale, atë të administratës dhe, besoj se mund ta them, të të gjithë qytetit. I përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve të tij”, deklaroi Gualtieri.

Edhe drejtori i televizionit La7, Andrea Salerno, shprehu ngushëllimet për vdekjen e Augias dhe solidaritetin me familjen e tij.

Corrado Augias lë pas një trashëgimi të rëndësishme në gazetarinë, televizionin dhe kulturën italiane, pas një karriere mbi gjashtëdhjetëvjeçare.

Lini një koment