Rrëmbehet një person në Kukës? Policia sqaron ngjarjen: Xhaxha e nip dhunuan një person, shpallen në kërkim
Policia e Kukësit ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me raportimet se një i ri është rrëmbyer dhe mbajtur nga dy persona në pyll. Policia bën me dije se kjo ngjarje është e pavërtetë. Sipas njoftimit Valmir Demaj ishte konfliktuar fizikisht me dy persona dhe për këtë rast ka bërë kallëzim tek autoritetet.
Në njoftim bëhet me dije se më pas Demaj teksa po udhëtonte me automjetin e tij është ndaluar nga Sami Jeminaj dhe Sejdi Jeminaj, me të cilët ishte konfliktuar në Kukës. Ata i kanë dalë përpara automjetit dhe kanë goditur me sende të forta.
Më tej bëhet me dije se në momentin e ngjarje, ndodhej edhe një punonjës policie, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar përshkallëzimin e konfliktit dhe ka kërkuar ndihmën e shërbimeve të tjera të Policisë. Pas ngjarjes ata kanë arritur të largohen teksa janë shpallur në kërkim. Mësohet se ata janë xhaxha e nip.
“Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës. Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohet për një të ri nga Kukësi, i cili pas një konflikti për motive të dobëta me dy shtetas është rrëmbyer dhe mbajtur në pyll, sqarojmë opinionin publik se lajmi është i pavërtetë.
Sqarojmë se, më datë 20.11.2026, shtetasi V. D., në qytetin e Kukësit, ishte konfliktuar fizikisht me dy shtetas dhe për këtë rast kishte bërë kallëzim në DVP Kukës.
Më pas, ky shtetas ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij dhe, në rrugën e Hasit, dy shtetasit me të cilët ishte konfliktuar në Kukës i kanë dalë përpara automjetit dhe kanë goditur me sende të forta automjetin dhe vetë shtetasin V. D.
Me shtetasin V. D. ndodhej edhe një punonjës policie, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar përshkallëzimin e konfliktit dhe ka kërkuar ndihmën e shërbimeve të tjera të Policisë.
Shtetasit S. J. dhe S. J., (xhaxha e nip) pas ndërhyrjes së punonjësit të Policisë, janë larguar menjëherë nga vendngjarja dhe janë shpallur në kërkim, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit’, njofton policia.