E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Berisha: Na duhet front i gjerë opozitar t’i japim shtytjen e fundit Edi Ramës

Berisha: Na duhet front i gjerë opozitar t’i japim shtytjen e fundit Edi Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje forcave politike opozitare dhe qytetarëve që të bashkohen në një front të gjerë kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, duke e cilësuar bashkimin si mjetin vendimtar në këtë fazë politike. Gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e “Ripërtëritjes” në Tiranë, Berisha deklaroi se mazhoranca ndodhet në një moment kritik dhe se opozita duhet të ndërmarrë veprime të koordinuara për ta përshpejtuar largimin e saj.

“Edi Rama është buzë varrit dhe ne duhet t’i japim shtytjen e fundit në banesën e turpit të historisë. Dhe kjo kërkon të bashkohemi”, theksoi Berisha.

Lideri i PD-së nënvizoi se fronti i propozuar nuk duhet të kufizohet te aleancat e zakonshme politike, por të përfshijë edhe aktorë të tjerë, përfshirë ata me qasje kritike apo kundërshtuese ndaj vetë Partisë Demokratike, mjafton që ta konsiderojnë qeverisjen aktuale si rrezikun kryesor për vendin.

“Unë ftoj sot këtu të gjitha forcat politike, edhe ato që në program janë anti-Parti Demokratike. Mbaje programin si të duash, nuk kërkoj ndryshimin, por ama nuk mund të mohosh se rreziku madhor i kombit, rreziku ekzistencial i kombit është partia e krimit dhe Edi Rama”, ka theksuar Berisha.

Berisha solli si shembull protestat e muajit qershor, të cilat i përshkroi si një mobilizim qytetar përtej përkatësive partiake, ku u përfshinë mbështetës të opozitës, socialistë dhe qytetarë të painkuadruar.

“Ajo protestë nuk ishte e jona, ishte e qytetarëve dhe ne, si demokratë, e respektojmë atë plotësisht. Në atë protestë protestonin së bashku qytetarë demokratë, qytetarë socialistë, qytetarë pa parti, qytetarë të partive të tjera”, nënvizoi Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi qeverinë për rënie të prodhimit vendas, goditje të eksporteve dhe humbje të vendeve të punës, duke lidhur këto zhvillime edhe me zhvlerësimin e euros dhe dollarit në tregun vendas, si dhe me largimin e qytetarëve jashtë vendit.

“Ka shkatërruar ekonominë, ka përgjysmuar eksportet, ka shkaktuar rënie masive të prodhimit, shkatërrim masiv të vendeve të punës… me radhë, dhe ikën shqiptarët, dhe ikën shqiptarët”, tha ai.

Ai vlerësoi gjithashtu angazhimin e protestuesve dhe të studentëve, duke theksuar se demonstratat e tyre tregojnë gatishmërinë për t’u përballur me atë që ai e quajti diktaturë, ndërsa shtoi se arma kryesore e opozitës mbetet bashkimi.

Berisha deklaroi se opozita nuk duhet të mbështetet te pritshmëritë për ndërhyrje nga jashtë apo te veprime institucionale, por të marrë vetë iniciativën politike përmes mobilizimit dhe protestave.

Ai paralajmëroi se mosbashkimi i forcave opozitare në një front të përbashkët do të mbante përgjegjësi historike, duke bërë thirrje për rigrupim dhe organizim të protestave më të forta.

“Ky sulm duhet të jetë bashkimi, bashkimi dhe vetëm bashkimi”, shtoi më tej Berisha.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment