Shitjet e makinave në Evropë rriten 3.4% në tetor, gjashtë prodhuesit kinezë arrijnë 14.8% të tregut
Kërkesa në rritje për automjetet elektrike me bateri vijoi të mbështesë rritjen e tregut evropian të makinave të reja në tetor, duke kompensuar një tjetër rënie të fortë të shitjeve të makinave me benzinë dhe naftë, tregojnë të dhënat e Shoqatës së Prodhuesve Evropianë të Automjeteve (ACEA) të publikuara të martën, siç njofton Reuters.
Regjistrimet e makinave të reja, që shërbejnë si tregues i shitjeve, u rritën me 3.4% krahasuar me një vit më parë, në 1.13 milionë automjete në Bashkimin Evropian, Britani dhe Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA). Kërkesa për automjete të elektrizuara mbeti e fortë në tregjet kryesore evropiane, e mbështetur nga stimujt për blerjen dhe një gamë më e gjerë modelesh.
Makinat e elektrizuara përbënë 75.5% të të gjitha automjeteve të reja të regjistruara. Regjistrimet e makinave me benzinë dhe naftë ranë përkatësisht me 28.3% dhe 30.2% dhe tani përbëjnë vetëm 21.8% të regjistrimeve. Regjistrimet e makinave plotësisht elektrike u rritën me 56.1% dhe ato hibride plug-in me 9.2%, ndërsa regjistrimet e makinave hibride ranë lehtë, me 0.3%.
Prodhuesit evropianë vijuan të humbasin terren: regjistrimet e Volkswagen ranë me 7.6%, të Renault me 9.8% dhe të Stellantis me 8% krahasuar me një vit më parë, ndërsa pjesa e tyre e kombinuar e tregut zbriti në 47.2%, nga 53.2% një vit më parë.
Në kahun tjetër, regjistrimet e prodhuesve kinezë Chery u rritën me 150.8%, të BYD me 118.9%, të Geely me 15.4% dhe të SAIC me 36.2%, ndërsa markat më të reja Leapmotor dhe Xpeng u rritën përkatësisht me 246.4% dhe 165.3%. Pjesa e kombinuar e tregut e gjashtë prodhuesve kinezë arriti në 14.8%, nga 9% një vit më parë.