E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Çfarë do të ndodhë me Brezovicën? Pacolli flet për ndërtimet pa leje dhe projektin prej 500 milionë eurosh

Çfarë do të ndodhë me Brezovicën? Pacolli flet për ndërtimet pa leje dhe projektin prej 500 milionë eurosh

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, ka thënë se ndërtimet pa leje në Brezovicë do të trajtohen njësoj si në zonat e tjera të mbrojtura. Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se kanë nisur analizat për projektin e qendrës së skijimit, për të cilin, sipas saj, janë dedikuar 500 milionë euro.

E pyetur në “Përballje Podcast” në Telegrafi për ndërtimet pa leje në Brezovicë, Prevallë dhe Rugovë, Pacolli-Dalipi tha se Ministria do ta zbatojë ligjin në secilën prej këtyre zonave.

“Kur flasim për ndërtimet ilegale, secila zonë e mbrojtur do të trajtohet njësoj dhe do të zbatojmë ligjin në secilën pjesë”, deklaroi ministrja, shkruan Telegrafi.

– YouTube youtu.be

Duke folur për parqet kombëtare, ajo tha se ndalimi i bartjes së materialeve ndërtimore në zonat e mbrojtura ka penguar, sipas saj, një numër të madh ndërtimesh pa leje.

Ministrja tha se objektet e ndërtuara pa leje do të trajtohen një nga një.

Në çfarë faze është projekti i skijimit?

“Në Brezovicë ne synojmë të ndërtojmë Qendrën e Skijimit, e cila do të jetë qendër e veçantë dhe atraktive për rajonin”, tha Pacolli-Dalipi.

Sipas ministres, projekti përfshin disa ministri dhe për realizimin e tij po punon një grup punues.

Ajo tha se “500 milionë euro janë të dedikume” dhe se puna deri më tani është përqendruar te analizat paraprake.

“Për projektin e Brezovicës kemi fillu hapat e parë, analizat e para që duhet me u ba”, tha ajo./Telegrafi/

Lini një koment