E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›“Kush e solli dhunën në shtëpi?”, të rinjtë me mesazhe të forta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave

“Kush e solli dhunën në shtëpi?”, të rinjtë me mesazhe të forta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, disa të rinj kanë ndarë histori, emocione dhe mesazhe të forta, duke na kujtuar se përballë dhunës nuk mund të jemi thjesht spektatorë.

“Kush e solli dhunën në shtëpi?” ishe shfaqja e organizuar në Universitetin e Arteve me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Shqipëri duke përcjellë mesazhin se “duhet të kemi guximin të reagojmë, të flasim dhe të ndërhyjmë”.

Kjo nismë teatrale bëri bashkë qytetarë aktorë, përfaqësues të institucioneve dhe të shoqërisë civile, me qëllim ndërgjegjësimin përmes artit lidhur me një nga çështjet më thelbësore në shoqëri, siç është dhuna ndaj grave dhe vajzave.

“Po sikur, përballë një skene dhune, të mos ishim thjesht spektatorë?”, ngriti pyetjen ministri i Drejtësisë, Toni Gogu i pranishëm në këtë event

Ai u shpreh se “në shfaqjen “Kush e solli dhunën në konak?”, ishin pikërisht të rinjtë që na sfiduan me këtë pyetje. Na treguan copëza jete, na ftuan të ndërhynim, të kthenim kohën pas e të ndryshonim rrjedhën e ngjarjeve”.

“Në Ministrinë e Drejtësisë nuk e kemi luksin që na dha sonte teatri: të kthejmë kohën mbrapsht. Por kemi përgjegjësinë të veprojmë në kohë. Kjo përgjegjësi nuk është vetëm e institucioneve. Si prindër, si fqinjë, si qytetarë, nuk mund të qëndrojmë spektatorë, por duhet të ndërhyjmë për t’i thënë stop dhunës”, theksoi ministri Gogu.

Përmes teatrit, të rinjtë sollën në skenë një realitet që nuk duhet të na lërë indiferentë: dhunën në familje.

Sipas tyre, arti nuk është vetëm shprehje, por edhe përgjegjësi, ndërgjegjësim dhe mundësi për të sjellë ndryshim “sepse dhuna nuk duhet të ketë vend në asnjë konak”.

Lini një koment