E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›PHENIAN – Kim Jong Un kërkon shtimin e arsenalit bërthamor

PHENIAN – Kim Jong Un kërkon shtimin e arsenalit bërthamor

PHENIAN, 26 nëntor /ATSH-DPA./ Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka kërkuar zgjerimin e mëtejshëm të programit bërthamor të vendit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë zhvillimit dhe përdorimit të armëve bërthamore taktike, raportuan sot mediat shtetërore.

Gjatë një vizite në një objekt bërthamor, vendndodhja e të cilit nuk u bë e ditur, Kim u kërkoi industrisë së armatimit të përqendrohet më shumë te përdorimi i armëve bërthamore taktike për misione të ndryshme, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Ai deklaroi se statusi i Koresë së Veriut si fuqi bërthamore, i sanksionuar në Kushtetutë, është “absolutisht i panegociueshëm”, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për ta vënë në diskutim do të konsiderohej si “shpallje e hapur lufte”.

Armët bërthamore taktike zakonisht kanë koka bërthamore më të vogla dhe fuqi shpërthyese më të ulët se armët strategjike. Ato janë projektuar për përdorim më të kufizuar dhe të drejtpërdrejtë në konfliktet ushtarake.

Pesë vjet më parë, Kim e kishte shpallur zhvillimin e armëve bërthamore më të vogla si një objektiv strategjik të vendit. Megjithatë, nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur nëse Pheniani disponon aktualisht armë taktike bërthamore plotësisht funksionale.

Javën e kaluar, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) raportoi se Koreja e Veriut kishte vijuar zgjerimin e objektit të saj bërthamor në Yongbyon që prej muajit shtator.

Drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, e cilësoi zgjerimin e programit të pasurimit të uraniumit të vendit si një zhvillim thellësisht shqetësues. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment