E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Kuvend, Balla nga Kuvendi: PD të bashkohet me PS për integrimin në BE. E keni kthyer partinë në fabrikë prodhimi molotovësh

Kuvend, Balla nga Kuvendi: PD të bashkohet me PS për integrimin në BE. E keni kthyer partinë në fabrikë prodhimi molotovësh

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë thirrje nga foltorja e Kuvendit që Partia Demokratike të bashkëpunojë me mazhorancën për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Balla deklaroi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është projekti më i rëndësishëm i vendit dhe se të gjitha forcat politike duhet të kontribuojnë për realizimin e tij.

Ai kritikoi opozitën për qëndrimin ndaj reformave dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, duke pretenduar se PD nuk ka votuar asnjë ligj që lidhet me detyrimet e përbashkëta të integrimit.

“PS është e angazhuar çdo ditë për projektin më të rëndësishëm të Shqipërisë, anëtarësimin në BE. Edhe sot është dita që PD-së, nëse dëshiron të punojë bashkë me ne për këtë projekt historik, i themi se është e mirëpritur.

Sot mbahet Këshilli i Integrimit, në prani të komisioneres Marta Kos, ku unë besoj se mesazhi i përbashkët i të gjitha forcave politike duhet të jetë puna për të çuar përpara të gjitha reformat. Ju kujtoj se edhe deri më sot, PD nuk ka votuar qoftë edhe një ligj të vetëm që lidhet me detyrat tona të përbashkëta për përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së”, tha Balla.

Balla foli edhe për aktet e dhunës në protestë, duke i kërkuar opozitës të distancohet prej tyre. Ai akuzoi PD se është kthyer në “fabrikë molotovësh” për dhunën në protesta.

“Dhuna në rrugë kundër institucioneve, në këto 35 vite, frymëzohet vetëm nga një njeri dhe ai është sekretari i Partisë së Punës brenda jush. Distancohuni nga dhuna! Nuk mund të jetë PD-ja ajo që flet për një Shqipëri si gjithë Evropa, ndërkohë që sot e vetmja ndërmarrje masive është prodhimi i molotovëve. E keni degjeneruar PD-në në një fabrikë të prodhimit artizanal të molotovëve”, tha Balla.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment