Replika në Kuvend, Alizoti: Ju nuk doni që njerëzit të protestojnë! Balla: Distancohuni nga dhuna
Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti ka shprehur kundërshtimin e tij në Kuvend ndaj aktit normativ për tubimet, duke e konsideruar atë si një përpjekje për të kufizuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare, Alizoti vlerësoi se qytetarët shqiptarë kanë shumë më tepër arsye për të dalë në protesta krahasuar me ata të vendeve të tjera evropiane, duke sjellë si shembuj krahasues Francën dhe Italinë.
Duke kritikuar qasjen e mazhorancës ndaj tubimeve, deputeti demokrat u shpreh: “Ju bëni akte normative për të ndaluar protestat. Demokracia ka vetëm një element që është protesta. Ju keni frikë nga protesta, por protesta e mban gjallë demokracinë.”
Alizoti shtoi gjithashtu se synimi shkon deri aty sa “edhe kryeministrinë duan ta shpallin zonë të mbrojtur”.
Kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla në replikën e tij akuzoi opozitën për frymëzimin e përplasjeve ndaj institucioneve gjatë tri dekadave të fundit, duke bërë thirrje për distancim nga dhuna.
“Ende PD nuk ka votuar qoftë edhe një ligj të vetëm që lidhet me detyrat e përafrimit të legjislacionit me BE-në dhe përmbushjen e reformave. Koha është tani që të lëmë pas diskutimet pa vlerë, retorikën pa vlerë dhe dhunën.
Qytetarët shqiptarë nuk i merrni dot për budallenj. Dhunën në rrugë kundër institucioneve, në 35 vite, e frymëzon në Shqipëri vetëm një njeri. Është sekretari i Partisë së Punës brenda jush. Distancohuni nga dhuna”, deklaroi Balla.
“PD është sot e vetmja magazinë prodhimi molotovësh. E keni degjeneruar PD-në në një fabrikë prodhimi artizanal molotovësh”, shtoi ai.