E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Reforma Zgjedhore/ Bylykbashi kërkon shtyrjen e afatit të komisionit, Balla: Pas datës 30 nuk ka më zgjatje

Reforma Zgjedhore/ Bylykbashi kërkon shtyrjen e afatit të komisionit, Balla: Pas datës 30 nuk ka më zgjatje

Zgjatja e mandatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore është kthyer në objekt debati në Kuvend, ku bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi ka kërkuar vijimin e punës së komisionit dhe asistencën e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR për të gjitha çështjet e reformës. Kërkesës së tij i është përgjigjur kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili ka bërë të qartë se mandati përfundon më 30 dhe se mazhoranca nuk do të pranojë zgjatje të mëtejshme.

Gjatë fjalës së tij, Bylykbashi ngriti shqetësimin për mënyrën se si është përcjellë kërkesa drejtuar Komisionit të Venecias. Sipas tij, asistenca është kërkuar vetëm për financimin e partive politike, ndërkohë që vendimi i marrë me konsensus në komision parashikonte përfshirjen e të gjitha paketave të reformës, veçanërisht çështjen e ndarjes së shtetit nga partia.

“Kam kërkuar në mënyrë të vazhdueshme zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Sot ka ardhur Komisioni i Venecias, pak më vonë kemi takim me ta, për të diskutuar për të na dhënë asistencën. Për fat të keq, shkresa juaj i ka keqdrejtuar, ua kanë instruktuar në atë formë, duke i kërkuar vetëm asistencë për linjën e financimit të partive politike. Vendimi i komisionit me konsensus ka qenë për t’i thirrur për të gjitha paketat e Komisionit të Reformës, mbi të gjitha për ndarjen e shtetit nga partia”, deklaroi Bylykbashi.

Demokrati tha se edhe OSBE/ODIHR kërkon të dijë nëse do të zgjatet mandati, në mënyrë që të ofrojë asistencën e kërkuar nga palët për draftet e reformës.

“Gjithashtu OSBE/ODIHR kërkon të dijë nëse do të zgjatet mandati, në mënyrë që të na ofrojë asistencën siç e kemi kërkuar në mënyrë konsensuale në komision. Prandaj duhet të sqaroni Komisionin e Venecias që është e pamjaftueshme ajo që keni kërkuar dhe duhet të vendoset shtyrja, që Venecia dhe ODIHR të na japin asistencën për draftet tona”, u shpreh ai. Bylykbashi kritikoi gjithashtu propozimet e mazhorancës, duke pretenduar se ato nuk përputhen me rekomandimet e OSBE/ODIHR. “Çfarë keni propozuar deri më sot ju, s’ka lidhje fare me rekomandimin. As ajo që keni sjellë sot për ndarjen territoriale s’është rekomandim i OSBE/ODIHR”, tha deputeti demokrat.

Nga ana tjetër, Taulant Balla kundërshtoi kërkesën për zgjatjen e mandatit, duke iu referuar afatit të komisionit dhe nenit 101, i cili parashikon që Kuvendi të vendosë brenda 45 ditëve për aktin normativ.

“E vërteta është që neni 101 ia jep përgjigjen, sepse Kuvendi brenda 45 ditëve, përkohshmërinë e aktit e kthen në ligj ose e rrëzon. Kjo shumicë do ta miratojë aktin normativ, ndërkohë që çështjet që ngrihen për detyrat e lëna për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ne e kemi ngritur komisionin sipas një formule të vjetër tradicionale të dakordësuar, jo funksionale”, deklaroi Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist pretendoi se opozitës i ishte dhënë e drejta e vetos për vendimmarrjet e komisionit, por theksoi se pas datës 30 nuk do të ketë më shtyrje të mandatit.

“Ju kemi dhënë të drejtën ju si bashkëkryetar të vetos për gjithçka. Që nga rendi i ditës deri te marrja e vendimit. Por po ua përsëris edhe njëherë. Komisioni i Posaçëm e ka afatin deri në datë 30. Pas kësaj date ju nuk keni më të drejtë për të marrë peng agjendën tonë europiane”, u shpreh Balla. Ai i bëri thirrje opozitës të rikthehet në tryezën e diskutimeve dhe të shfrytëzojë ditët e mbetura për të vijuar punën.

“Ftesa është aty, uluni sot, uluni nesër, pasnesër, të dielën, punoni me seriozitet, por mos e harro: aty në atë foltore ta kam thënë sot e gjashtë muaj përpara, është hera e fundit që ne e zgjasim mandatin”, tha Balla teksa u shpreh i bindur se në të ardhmen do të ngrihet një tjetër komision për reformën zgjedhore, por theksoi se ky komision duhet të përmbushë detyrat brenda afatit të përcaktuar. “Unë jam i sigurt që do rikthehemi në një komision tjetër të reformës zgjedhore për të punuar së bashku, ndoshta pas zgjedhjeve vendore, ndoshta para, por ky komision duhet të jetë serioz”, deklaroi Balla.

Lini një koment