Akti normativ për tubimet, Berisha: Anulojeni, nuk mund t’u mohoni qytetarëve të drejtën për të protestuar
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar në Kuvend anulimin e aktit normativ për tubimet, duke e cilësuar atë si antidemokratik dhe në kundërshtim me të drejtat themelore të qytetarëve.
Berisha deklaroi se asnjë vendim apo votim nuk mund t’u mohojë qytetarëve të drejtën për të protestuar.
Ai akuzoi qeverinë për dhunë ndaj protestuesve dhe kërkoi tërheqjen e aktit normativ.
“Akte antidemokratike që dhunojnë themelet e shtetit ligjor dhe të drejtat themelore të qytetarëve, të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Me asnjë akt, asnjë vendim apo votim, ju nuk mund t’ua mohoni qytetarëve të drejtën për të protestuar. Ky veprim që ndërmerrni, pas qëndrimeve shtazarake ndaj protestuesve paqësorë, u tregon shqiptarëve se asnjëri prej tyre që ka marrë plumba në ballë, në gojë apo pas veshit, që është goditur me breshëri plumbash në trup apo që i janë thyer kockat dhe gjymtyrët, nuk ka qenë i përfshirë në asnjë akt dhune. Do të hysh në histori. Anuloje!”, tha Berisha.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.