E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Amerika›Thanksgiving, historia e një tradite amerikane

Thanksgiving, historia e një tradite amerikane

Gëzuar Ditën e Falënderimeve!

Sot, më 26 nëntor, amerikanët festojnë Thanksgiving, Ditën e Falënderimeve, një nga festat më të rëndësishme dhe më të dashura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miliona njerëz udhëtojnë nga njëri skaj i vendit në tjetrin për të qenë pranë familjeve të tyre, për të ngrënë së bashku dhe për të shprehur mirënjohjen për atë që kanë.

Ndryshe nga shumë festa të tjera, Thanksgiving nuk përkujton një fitore ushtarake, shpalljen e pavarësisë apo lindjen e një figure historike. Edhe pse i ka rrënjët në traditat fetare të falënderimit, sot ajo është një festë kombëtare që bashkon amerikanët, pavarësisht prejardhjes, besimit apo bindjeve të tyre politike.

Fillimet e një tradite katërshekullore

Historia e Thanksgiving na çon në vitin 1620, kur anija Mayflower, me 102 pasagjerë në bord, mbërriti në brigjet e Amerikës së Veriut. Emigrantët anglezë, të njohur në historinë amerikane si Pilgrims, themeluan koloninë e Plymouth-it, në territorin e shtetit të sotëm të Massachusetts-it.

Dimri i parë ishte jashtëzakonisht i vështirë. Uria, të ftohtit dhe sëmundjet u morën jetën pothuajse gjysmës së kolonëve. Ata që mbijetuan u ndihmuan nga popullsia vendase, veçanërisht nga pjesëtarët e fisit Wampanoag, të cilët u mësuan mënyrat e kultivimit të misrit dhe të sigurimit të ushqimit në kushtet e panjohura të kontinentit amerikan.

Në vjeshtën e vitit 1621, pas një korrjeje të suksesshme, kolonët organizuan një festë që zgjati tri ditë dhe në të cilën morën pjesë edhe banorët vendas. Pikërisht kjo ngjarje konsiderohet tradicionalisht si Thanksgiving-u i parë amerikan, megjithëse ceremoni të ngjashme falënderimi për të korrat ishin zhvilluar edhe më parë në Amerikën e Veriut.
Natyrisht, historia e marrëdhënieve ndërmjet kolonëve evropianë dhe popullsisë autoktone nuk vazhdoi në frymën e asaj feste. Luftërat, dëbimet dhe humbja e territoreve sollën tragjedi të mëdha për popullsinë vendase. Për këtë arsye, një pjesë e amerikanëve autoktonë e përkujtojnë Thanksgiving-un edhe si një ditë zie kombëtare.

Gruaja që e bëri Thanksgiving-un festë kombëtare

Për më shumë se dy shekuj, Thanksgiving mbeti një traditë që festohej në periudha të ndryshme dhe kryesisht në shtetet verilindore të Amerikës.

Më 1789, presidenti i parë amerikan, George Washington, shpalli 26 nëntorin si ditë kombëtare falënderimi. Por festa ende nuk ishte kthyer në një traditë të përvitshme në të gjithë vendin.

Merita për këtë i takon në një masë të madhe një gruaje, shkrimtares dhe gazetares Sarah Josepha Hale. Për disa dekada, ajo botoi editoriale dhe u shkroi presidentëve, guvernatorëve dhe politikanëve amerikanë, duke kërkuar që vendi të kishte një ditë të përbashkët falënderimi.

Përpjekjet e saj u kurorëzuan me sukses më 3 tetor 1863, kur presidenti Abraham Lincoln shpalli të enjten e fundit të nëntorit si ditë kombëtare falënderimi.

Amerika ndodhej atëherë në mes të Luftës Civile. Lincoln e shihte festën edhe si një mundësi për të nxitur unitetin e një kombi të përçarë nga lufta.

Në vitin 1939, presidenti Franklin D. Roosevelt e zhvendosi festën një javë më herët, me synimin për të zgjatur sezonin e blerjeve për Krishtlindje dhe për të ndihmuar ekonominë amerikane. Vendimi shkaktoi debate dhe konfuzion në vend.

Më 26 dhjetor 1941, Roosevelt nënshkroi ligjin që përcaktonte përfundimisht të enjten e katërt të nëntorit si Ditën e Falënderimeve. Kështu vazhdon të festohet edhe sot.

Përse hahet gjeli i detit?

Një nga simbolet më të njohura të Thanksgiving-ut është gjeli i detit. Megjithatë, nuk ka prova të sigurta se gjeli i detit ishte pjesë e tryezës së festës së vitit 1621. Dokumentet historike përmendin mishin e drerit dhe shpendët e gjahut, por nuk përcaktojnë me saktësi të gjithë menunë.

Gjeli i detit ishte një shpend vendas i Amerikës së Veriut dhe gjendej me shumicë. Përmasat e tij lejonin që me një shpend të ushqehej një familje e madhe. Ndryshe nga lopët, që siguronin qumësht, apo pulat, që prodhonin vezë, gjeli i detit rritej kryesisht për mish.

Gjatë shekullit XIX, librat e gatimit, letërsia dhe revistat amerikane ndihmuan në përhapjen e traditës së servirjes së gjelit të detit në Ditën e Falënderimeve. Edhe Sarah Josepha Hale, krahas fushatës për institucionalizimin e festës, promovonte receta tradicionale për këtë ditë.
Me kalimin e viteve, tryezës iu shtuan pureja e patateve, salca e boronicave të kuqe, mbushja me bukë e erëza, e njohur si stuffing, patatet e ëmbla dhe ëmbëlsira tradicionale me kungull.

Madje, në Shtëpinë e Bardhë është krijuar edhe tradita humoristike e faljes presidenciale të gjelit të detit, që mori formën e saj të përvitshme në vitin 1989, gjatë presidencës së George H. W. Bush-it.

Një festë që u përket të gjithë amerikanëve

Me kalimin e kohës, Thanksgiving ka krijuar edhe tradita të tjera, si paradat e mëdha në qytetet amerikane, ndeshjet e futbollit amerikan, shpërndarjen e ushqimeve falas për njerëzit në nevojë dhe, së fundmi, Black Friday, ditën e madhe të blerjeve që pason festën.

Por veçantia e Thanksgiving-ut qëndron në aftësinë e kësaj feste për t’u bërë pjesë e jetës së çdo brezi të ri emigrantësh që mbërrijnë në Amerikë.

Italianët, shqiptarët, grekët, meksikanët, kinezët dhe shumë komunitete të tjera e kanë përvetësuar këtë traditë, duke ruajtur njëkohësisht zakonet dhe kulturën e vendeve të tyre të origjinës. Në tryezën e një familjeje shqiptaro-amerikane, pranë gjelit të detit dhe salcës së boronicave, mund të gjesh fare natyrshëm edhe byrekun, bakllavanë apo përsheshin tradicional shqiptar.

Kjo është një nga karakteristikat më interesante të shoqërisë amerikane. Identiteti kombëtar nuk ndërtohet vetëm mbi trashëgiminë e përbashkët historike, por edhe mbi traditat që njerëzit me prejardhje të ndryshme zgjedhin të ndajnë me njëri-tjetrin.

Në një shoqëri ku puna, karriera, konkurrenca dhe ritmi i jetës zënë një pjesë kaq të madhe të kohës, amerikanët kanë ruajtur një ditë për familjen, miqtë dhe mirënjohjen. Një ditë kur vëmendja nuk përqendrohet tek ajo që u mungon, por tek ajo që kanë.

Dhe ndoshta pikërisht kjo filozofi e thjeshtë e jetës shpjegon përse një festë që nisi me një korrje të suksesshme, katër shekuj më parë, vazhdon të jetë një nga traditat më të dashura të Amerikës.

Gëzuar Ditën e Falënderimeve!

Lini një koment