Shehaj: U tmerruat nga deklarata e ambasadorit amerikan për provat, e kaluat ditën duke fshirë e-mailet dhe SMS-të
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi gjatë fjalës së tij në Kuvend se mazhoranca është përfshirë nga paniku pas deklaratave të ambasadorit amerikan, Eric Wendt, lidhur me gjurmët e lëna në serverët e kompanive amerikane.
Sipas tij, këto deklarata i kanë detyruar deputetët të fshijnë e-mailet, bisedat në WhatsApp dhe SMS-të.
“E dini shumë mirë që ju ka ardhur fundi. Dije foli ambasadori amerikan apo nuk e dëgjuat? U terrorizuat, panik. Çfarë tha ambasadori amerikan? Ai tha shumë gjëra. Po gjëja që u bëri që të dridheni u tha: ‘Keni lënë gjurmë në serverat e kompanive amerikane’. Gjurmët janë aty. Gjurmët e vjedhjeve tuaja janë aty. Nuk keni çfarë të bëni. Janë aty.
Besoj keni kaluar ditën dije duke fshirë E-maile, WhatsApp, SMS, s’dini ç bënit apo jo? Apo jo? Nuk keni nga ja mbani. Po të vish në Kuvend, shikon pamjet jashtë, polici gjithandej keni bllokuar gjysmën e Tiranës sepse keni frikë nga protestuesit.
Tani na keni sjellë në parlament edhe masat kërcënuese se si do t’i ndaloni protestuesit, por nuk i ndaloni dot. Nuk i ndaloni dot dhe të shtunën në datën 28 do ngrihet e gjithë Shqipëria. Do ngrihet kundër jush, sepse ju ka ardhur fundi”, u shpreh Shehaj.