E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Situata nga reshjet në Qarkun Shkodër, probleme me energjinë në Vaun e Dejës dhe në Malësi të Madhe

Situata nga reshjet në Qarkun Shkodër, probleme me energjinë në Vaun e Dejës dhe në Malësi të Madhe

Edhe këtë të enjte, në të gjithë territorin e Qarkut Shkodër vijojnë reshjet e shiut, kryesisht me intensitet mesatar.

Ndërkohë, raportohet se situata paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme dhe deri në këto momente nuk ka problematika madhore.

Ja si paraqitet situata sipas zonave:

Në Bashkia Shkodër, grupet e punës janë në terren dhe në gatishmëri duke vijuar pastrimin e konetave për garantimin e kullimit të ujërave të shiut.

Bashkia Malësi e Madhe: Evidentohen ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike në Kelmend dhe Kastrat. Prurjet e lumenjve nuk paraqesin problematika.

Bashkia Vau i Dejës: Raportohen probleme me furnizimin me energji elektrike në pothuajse të gjitha njësitë administrative.

Bashkitë Pukë dhe Fushë-Arrëz: Nuk raportohen problematika të lidhura me emergjencat civile.

Ekipet e OSHEE-së dhe strukturat pëgjegjëse vijojnë punën në terren për riparimin e defekteve në linjat përkatëse.

Situata rrugore: Në aksin Qafë Thorë–Theth është ndërhyrë nga firmat e mirëmbajtjes për largimin e gurëve dhe materialeve inerte. Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në koordinim me bashkitë dhe strukturat përgjegjëse, vijon monitorimin e situatës dhe mbajtjen në gatishmëri të strukturave operacionale.

Lini një koment