“Ekonomia shqiptare u 3-fishua në 10 vjet”, Rama: Do marrim më shumë mbështetje nga Plani i Rritjes i BE-së
Kryeministri Edi Rama ka vënë në dukje rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë dekadës së fundit dhe potencialin e Ballkanit Perëndimor për t’u kthyer në një destinacion të rëndësishëm për investime, inovacion dhe prodhim.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e Investimeve BE-Ballkanin Perëndimor, e zhvilluar në Tiranë, Rama deklaroi se rajoni duhet të shihet përtej procesit të integrimit evropian, duke u konsideruar si një faktor me rëndësi për rritjen ekonomike dhe konkurrueshmërinë e Bashkimit Evropian.
“Ka ardhur koha që të mos shihemi më përmes lentes së zgjerimit, si një rajon që gjithmonë përpiqet të kapë ritmin me BE-në, sepse jemi shumë më tepër se kaq. Jemi një destinacion investimi. Jemi një vend në rritje, pjesë e rritjes ekonomike dhe e konkurrueshmërisë evropiane”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë solli si shembull ecurinë e ekonomisë shqiptare, duke theksuar se ajo është rritur nga 10 miliardë euro një dekadë më parë, në rreth 30 miliardë euro aktualisht.
Rama bëri të ditur se ambicia e qeverisë është që deri në vitin 2040 ekonomia e vendit të dyfishohet sërish.
Ai u ndal edhe te pozicioni gjeografik i Shqipërisë, anëtarësimi në NATO dhe perspektiva evropiane, duke i cilësuar këto si elementë që e bëjnë vendin një pikë të rëndësishme për investimet në rajon.
Një tjetër çështje e përmendur nga kryeministri ishte Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Rama deklaroi se Shqipëria pritet të përfitojë më shumë mbështetje financiare në kuadër të këtij mekanizmi, si rezultat i përmbushjes së reformave dhe angazhimeve të marra.
“Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Plani i Rritjes, jo si nder apo favor, por sepse kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe kemi marrë notën”, deklaroi ai.