E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›LIVE- Debate në Kuvend për reformën zgjedhore dhe aktin normativ për tubimet! Sot votohet Buxheti 2027 dhe Paketa Fiskale

LIVE- Debate në Kuvend për reformën zgjedhore dhe aktin normativ për tubimet! Sot votohet Buxheti 2027 dhe Paketa Fiskale

Kuvendi po vijon punimet në seancën plenare që nga ora 10:00 teksa pritet të zgjasë gjatë.Gjatë kësaj seance në fokus është miratimi i projektbuxhetit të vitit 2027 dhe paketës fiskale që e shoqëron atë.

Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu dy akte normative që lidhen me tubimet dhe shpërblimin e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave.

Pas diskutimeve të zhvilluara në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, deputetët pritet gjithashtu të votojnë për ndryshimet në ligjet për tatimin mbi të ardhurat, tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.

Seanca nisi me debate dhe replika. Punimet e parlamentit fillimosht u çelën me fjalën hyrëse të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Kryeparlamentari Peleshi lexoi rendin e ditës.

Pas Peleshit fjalën e mori deputeti demokrat, Tomor Alizoti. Alizoti shprehu kundërshtimin e tij në Kuvend ndaj aktit normativ për tubimet, duke e konsideruar atë si një përpjekje për të kufizuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

Alizoti vlerësoi se qytetarët shqiptarë kanë shumë më tepër arsye për të dalë në protesta krahasuar me ata të vendeve të tjera evropiane, duke sjellë si shembuj krahasues Francën dhe Italinë.

Kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla në replikën e tij akuzoi opozitën për frymëzimin e përplasjeve ndaj institucioneve gjatë tri dekadave të fundit, duke bërë thirrje për distancim nga dhuna.

Pas replikave, fjalën e mori kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ai lëshoi akuza të drejtpërdrejta ndaj Taulant Ballës, duke e cilësuar atë si kriminel.

Berisha më pas refuzoi të lirojë foltoren e Kuvendit pas përfundimit të fjalës së tij gjatë, pavarësisht thirrjeve të Peleshit. Edhe pasi iu fik mikrofoni, Berisha ka vijuar të flasë nga foltorja, duke pezulluar për disa minuta vijimin e seancës.

Pasi situata u vendos nën kontroll, deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj gjithashtu e nisi fjalën e tij me kritika lidhur me aktin normativ për protestat, duke e cilësuar atë si shprehje të frikës dhe ankthit qeveritar, si dhe duke sjellë paralelizma historike dhe ndërkombëtare.

Sipas Gjekmarkajt, akti normativ synon të kthejë në ligj frikën e pushtetit përballë reagimit qytetar, duke nënvizuar se e drejta për të protestuar është pjesë e identitetit të shoqërisë.

Pas tij foli edhe Oerd Bylykbashi i cili kërkoi shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke iu drejtuar mazhorancës se i ka keqinformuar ekspertët e Komisionit të Venecias lidhur me objektin e asistencës që u është kërkuar.

Sipas tij, pavarësisht dakordësisë së arritur më herët në komision, ekspertëve ndërkombëtarë u është kërkuar ndihmë vetëm për ligjin e financimit të partive politike, duke lënë jashtë rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR-it.

Balla, i është përgjigjur duke i thënë se Komisioni i Reformës Zgjedhore e ka afatin deri më 30 nëntor dhe se pas kësaj date nuk ka më të drejtë të marrë peng agjendën e anëtarësimit në BE.

Balla akuzoi opozitën për bojkot të vazhdueshëm dhe përpjekje për të penguar axhendën e integrimit evropian, ndërsa e ftoi atë të punojë me seriozitet gjatë ditëve të mbetura.

Duke folur në Kuvend për situatën e krijuar mes policisë dhe protestuesve gjatë protestave në Tiranë, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, u shpreh se sulmet ndaj institucioneve shtetërore, institucioneve të pavarura dhe bizneseve private e kishin vendosur vendin në një situatë emergjente, jashtë çdo normaliteti.

Ai u shpreh se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë paqësisht, por theksoi se policia ka për detyrë të zbatojë ligjin dhe të mbrojë jetën, pronën dhe institucionet me veprime proporcionale.

Demo bëri me dije gjithashtu se gjatë protestave janë pezulluar 9 punonjës policie, 50 raste po shqyrtohen administrativisht nga AMP, ndërsa shtoi se po hetohen rastet e dhunës.

Pas tij, deputetja demokrate, Jorida Tabaku akuzoi qeverinë dhe mazhorancën për mungesë reagimi ndaj dhunës policore dhe shkeljes së të drejtave të protestuesve.

LEXONI GJITHASHTU:

Lini një koment