E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Kapet ngarkesa me afro 67 kg kanabis në Igumenicë, arrestohen tre të rinj nga Saranda

Kapet ngarkesa me afro 67 kg kanabis në Igumenicë, arrestohen tre të rinj nga Saranda

Tre të rinj shqiptarë nga Saranda janë arrestuar në Greqi, pasi policia u kapi 66 kilogramë e 742 gramë kanabis, që dyshohet se po transportohej nga Shqipëria drejt Greqisë.

Ngjarja u regjistrua në zonën e Igumenicës, ku efektivët e Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve, në bashkëpunim me Departamentin e Dytë të Rojës Kufitare të Filatit, ndaluan fillimisht një automjet që drejtohej nga një prej shqiptarëve të arrestuar.

Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 60 pako me kanabis, me peshë totale 66 kilogramë e 742 gramë, të cilat u sekuestruan nga policia.

Më pas, në një tjetër vendndodhje, u ndalua edhe një automjet i dytë, në të cilin udhëtonin dy shqiptarët e tjerë. Sipas hetimeve, ata dyshohet se kishin rolin e pararojës, duke sinjalizuar drejtuesin e automjetit të ngarkuar me drogë për kontrollet e mundshme të policisë.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan edhe dy automjetet, 1,130 euro dhe katër celularë. Në kërkime u angazhuan gjithashtu qentë antidrogë, të identifikuar me emrat “IKARUS” dhe “JERRY”.

Tre të arrestuarit, së bashku me dosjen përkatëse, u dërguan në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Thesprotisë.

Ndërkohë, sipas të dhënave të raportuara nga mediat greke, gjatë 15 muajve të fundit policia ka sekuestruar rreth 1.5 tonë kanabis në zonat e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Florinës dhe Selanikut.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve lidhet me linjën e trafikut nga Saranda drejt Igumenicës, e konsideruar si një prej itinerareve të përdorura për transportimin e lëndëve narkotike. Në një prej rasteve të regjistruara në Igumenicë, autoritetet greke kanë sekuestruar edhe një skaf të shpejtë të ngarkuar me drogë.

Lini një koment