E hënë, 18 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaArte“Bangaranga”, Bullgaria fiton Eurovisionin për herë të parë

“Bangaranga”, Bullgaria fiton Eurovisionin për herë të parë

Bullgaria ka hyrë mbrëmë në histori në “Eurovision Song Contest”, duke fituar për herë të parë kompeticionin më të madh muzikor në Europë, falë këngëtares Dara dhe hitit të saj “Bangaranga”.

Artistja 27-vjeçare triumfoi bindshëm me 516 pikë, duke lënë pas Izraelin në vendin e dytë dhe Rumaninë në të tretin.

Edhe pse nuk konsiderohej favorite para finales, performanca spektakolare, koreografia e veçantë dhe refreni i ngjitshëm e kthyen Darën në surprizën më të madhe të mbrëmjes.

Performanca e saj u frymëzua nga tradita bullgare e Kukeri-t, ku përdoren maska për të larguar shpirtrat e këqij. Kjo paraqitje i solli këngëtares edhe çmimin për skenografinë më të mirë të vitit.

Në një deklaratë pas fitores, Dara u shpreh se kënga përcjell mesazhin e përballjes me ankthin dhe frikën: “Bangaranga është forca që secili ka brenda vetes. Është momenti kur zgjedh dashurinë mbi frikën”.

Pesëshja më e mirë e këtij edicioni ishte:

Bullgaria – Dara – Bangaranga

Izraeli – Noam Bettan – Michelle

Rumania – Alexandra Căpitănescu – Choke Me

Australia – Delta Goodrem – Eclipse

Italia – Sal Da Vinci – Per Sempre

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Eurovision Song Contest (@eurovision)

Ndërkohë artisti shqiptar Alis me këngën “Nan” u rendit në vendin e 13-të. Edicioni i këtij viti u shoqërua edhe me tensione politike dhe protesta lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit për shkak të luftës në Gaza. Disa vende bojkotuan eventin, ndërsa në Vienna u organizuan protesta para finales së madhe.

Televizioni Kombëtar Bullgar ka konfirmuar se Eurovisioni i ardhshëm do të mbahet në kryeqytetin Sofia.

/tvklan.al

Lini një koment