Monday, 29 June 2026
54°F Detroit
BallinaArteLigjërata e prof. dr. Rami Memushajt mbi drejtshkrimin e shqipes parimi morfologjik dhe fonologjik

Ligjërata e prof. dr. Rami Memushajt mbi drejtshkrimin e shqipes parimi morfologjik dhe fonologjik

Një ligjëratë mbi drejtshkrimin e gjuhës shqipe u mbajt në mjediset e Akademisë së Shkencave, me organizimin nga Seksioni i Shkencave Shoqërore Albanologjike dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Prof. dr. Rami Memushaj mbajti ligjëratën “Pesha e parimit morfologjik dhe fonologjik në drejtshkrimin e gjuhës shqipe”, ku trajtoi çështjet themelore të ortografisë së shqipes, duke u ndalur te roli i parimit fonologjik dhe morfologjik në shkrimin e fjalëve.

Ai paraqiti bazat teorike dhe praktike të drejtshkrimit të shqipes, duke e vënë theksin në rolin e dy parimeve themelore që e udhëheqin atë. ASH shprehet se në ligjëratë u shpjeguan konceptet bazë të ortografisë, grafemës dhe ortogramit, duke u ndalur te përputhja grafemë-fonemë (parimi fonologjik) dhe ruajtja e morfemës në shkrim pavarësisht ndryshimeve fonetike (parimi morfologjik). “Përmes krahasimeve me gjuhë të tjera dhe literaturës ndërkombëtare, u theksua se drejtshkrimi i shqipes është një sistem i ndërmjetëm, ku veprojnë të dy parimet. Përmes analizave dhe përllogaritjeve të bazuara në Fjalorin e vitit 2006, u theksua se parimi morfologjik ka peshën kryesore në drejtshkrimin e gjuhës shqipe, ndërsa parimi fonologjik mbetet ndihmës.

Gjithashtu. prof. dr. Memushaj solli edhe një diskutim të veçantë mbi shkrimin e zanores ë së patheksuar, si një “nyje problematike” e drejtshkrimit, ku bashkëveprojnë aspektet fonetike, morfologjike dhe semantike”, bën me dije ASH. Pas mbylljes së ligjëratës veprimtaria u shoqërua me diskutime. Ligjërata e prof. dr. Memushaj u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm në debatin shkencor mbi drejtshkrimin e shqipes dhe zhvillimet e tij në kohë.

Lini një koment