Friday, 19 June 2026
54°F Detroit
BallinaPolitikaKatër republikanë garojnë për të zëvendësuar John James në Kongresin Amerikan

Katër republikanë garojnë për të zëvendësuar John James në Kongresin Amerikan

Mes kandidatëve kryesorë janë veterani i ushtrisë Michael Bouchard dhe prokurori shqiptaro-amerikan Robert Lulgjuraj, i cili synon të bëhet shqiptaro-amerikani i parë në Kongres pas më shumë se tre dekadash.

Katër kandidatë republikanë po garojnë në zgjedhjet paraprake të 4 gushtit për të fituar kandidimin e Partisë Republikane në Distriktin e 10-të të Miçiganit për Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së. Në garë janë Michael Bouchard, Steffan Demetropoulos, Justin Kirk dhe Robert Lulgjuraj.

Vendi në Kongres mbeti i lirë pasi kongresmeni republikan John James vendosi të mos kërkojë një mandat tjetër dhe shpalli kandidaturën e tij për guvernator të Miçiganit. Distrikti, që përfshin pjesën jugore të qarkut Macomb dhe një pjesë të qarkut Oakland, konsiderohet një nga garat më të rëndësishme të zgjedhjeve të vitit 2026.

Sipas sondazheve dhe raportimeve mediatike, Michael Bouchard dhe Robert Lulgjuraj janë dy kandidatët që kryesojnë garën për nga mbështetja, fondet e mbledhura dhe vëmendja publike.

Michael Bouchard është kapiten në Ushtrinë Amerikane. Ai ka shërbyer në divizionet elitare 82nd dhe 101st Airborne dhe është dekoruar me Medaljen Bronze Star për kontributin e tij në operacionet kundër ISIS-it. Në fushatën e tij ai thekson sigurinë kombëtare, zhvillimin ekonomik dhe arsimin, duke deklaruar se dëshiron të vazhdojë t’i shërbejë vendit edhe në Kongres.

Nga ana tjetër, Robert Lulgjuraj është prokuror ndihmës në qarkun Macomb. Ai ka studiuar në Holy Cross College dhe në Universitetin e Detroitit, ndërsa më parë ka shërbyer si prokuror në qarqet Wayne dhe Macomb. Gjithashtu ka qenë anëtar i Komitetit të Komuniteteve Etnike të qytetit Sterling Heights.

Nëse zgjidhet në Kongres, Lulgjuraj do të bëhej shqiptaro-amerikani i parë që do të shërbejë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së që nga Joseph DioGuardi, i cili përfaqësoi shtetin e Nju Jorkut në vitet 1985–1989.

Në platformën e tij elektorale, Lulgjuraj shprehet se kandidon sepse beson se çdo fëmijë amerikan duhet të ketë mundësi të ndjekë ëndrrat e tij dhe se kjo arrihet duke kufizuar ndërhyrjen e qeverisë në jetën dhe iniciativën e qytetarëve. Në një video të fushatës ai thekson se nuk është kandidati i establishmentit apo i ndonjë familjeje politike, por djali i një kamarierjeje dhe i një punonjësi mirëmbajtjeje, të cilët, sipas tij, i kanë mësuar vlerën e punës së ndershme dhe përkushtimit.

Lini një koment