Monday, 29 June 2026
54°F Detroit
BallinaArteDokumentari për Dezo Hoffmann në garën e Gjon Mili Video Art Festival

Dokumentari për Dezo Hoffmann në garën e Gjon Mili Video Art Festival

Në mbrëmjen e ditës së dytë të Gjon Mili Video Art Festival në Dhërmi u shfaq dokumentari “Dezo Hoffmann – Photographer of the Beatles”, me regji të Laura Sivakova-Passova dhe Patrik Lancaric. Filmi sjell në vëmendje jetën dhe veprën e fotografit legjendar sllovak Dezo Hoffmann, një nga emrat më të rëndësishëm në historinë e fotografisë .

Dokumentari tregon rrugëtimin e Hoffmann-it, i cili e nisi karrierën si foto-reporter dhe kineast gjatë konflikteve të mëdha të shekullit XX, përfshirë Luftën Civile në Spanjë, përpara se të bëhej një nga fotografët më të njohur të muzikës pop dhe rock në Britaninë e Madhe.

I konsideruar si pionier i fotografisë moderne muzikore, Dezo Hoffmann ndryshoi mënyrën se si portretizoheshin artistët, duke i fotografuar në ambiente natyrore dhe në momente spontane, larg pozave të zakonshme të studios. Ai realizoi disa nga fotografitë më të njohura të grupit The Beatles në vitet e para të karrierës së tyre, ndërsa objektivi i tij ka fiksuar edhe emra të mëdhenj si Marilyn Monroe, Frank Sinatra, Jimi Hendrix dhe The Rolling Stones.

Filmi, me kohëzgjatje 74 minuta, rikthen në kujtesë figurën e një artisti që pati ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën vizuale të shekullit të kaluar, por që për shumë vite mbeti jashtë vëmendjes së publikut të gjerë. Përmes materialeve arkivore dhe dëshmive, dokumentari ndërthur jetën e tij si korrespondent lufte me suksesin e mëvonshëm në botën e muzikës.

Lini një koment