Tuesday, 23 June 2026
54°F Detroit
BallinaPolitikaGoditje e fortë për Robert Lulgjurajn në garën për t’u bërë kandidat: Trump mbështet rivalin e tij

Goditje e fortë për Robert Lulgjurajn në garën për t’u bërë kandidat: Trump mbështet rivalin e tij

Ironike: Lulgjuraj u paraqit si kandidati më pranë linjës së Trump, ndërsa Mike Bouchard mbajti një profil më të moderuar, por ishte ai që mori mbështetjen e presidentit amerikan.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dhënë një goditje të rëndësishme fushatës së prokurorit të qarkut Macomb, Robert Lulgjuraj, duke shpallur publikisht mbështetjen e tij për rivalin Mike Bouchard në zgjedhjet paraprake republikane për Distriktin e 10-të të Miçiganit.

Vendimi u bë publik të hënën, kur Trump, përmes rrjetit të tij social Truth Social, deklaroi se Mike Bouchard ka “mbështetjen e tij të plotë dhe të pakushtëzuar” për të qenë kandidati republikan që do të pasojë kongresmenin John James.

Në mesazhin e tij, Trump vlerësoi Bouchard për shërbimin e tij si kapiten në Gardën Kombëtare të Ushtrisë dhe fitues i medaljes Bronze Star, duke theksuar se ai do të sjellë të njëjtin “shpirt luftarak” edhe në Kongres. Presidenti amerikan shtoi se Bouchard do të punojë për forcimin e ekonomisë, uljen e taksave dhe rregulloreve, mbështetjen e veteranëve dhe sigurimin e kufirit.

Gara republikane në Distriktin e 10-të përfshin katër kandidatë: Mike Bouchard, Robert Lulgjuraj, avokatin Justin Kirk dhe veteranin e ushtrisë Steffan Demetropoulos. Primaret do të zhvillohen më 4 gusht.

Mbështetja e Trump konsiderohet një zhvillim me peshë në zgjedhjet paraprake republikane, pasi në shumë raste ajo ka ndikuar drejtpërdrejt në përcaktimin e fituesit të nominimit. Megjithatë, analistët kujtojnë se në Miçigan disa nga kandidatët e mbështetur nga Trump kanë pësuar humbje në zgjedhjet e përgjithshme, përfshirë garat për guvernator, prokuror të përgjithshëm dhe sekretar shteti në vitin 2022.

Ironia e këtij zhvillimi qëndron te fakti se gjatë gjithë fushatës Robert Lulgjuraj është identifikuar me qëndrime të forta në krahun trumpist të Partisë Republikane, duke ndërtuar profilin e tij politik mbi mbështetjen e axhendës së Donald Trump. Në të kundërt, Mike Bouchard është perceptuar si një figurë më e moderuar brenda partisë.

Pikërisht për këtë arsye, vendimi i Trump për të mbështetur Bouchard dhe jo Lulgjurajn pritet të ketë ndikim të konsiderueshëm në dinamikën e garës republikane, duke ndryshuar ekuilibrat vetëm pak javë para votimit të 4 gushtit.

Distrikti i 10-të i Miçiganit, i përqendruar kryesisht në qarkun Macomb, konsiderohet një nga zonat më të rëndësishme elektorale të shtetit. Donald Trump e fitoi këtë distrikt në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 me një diferencë prej rreth 6.5 pikësh përqindjeje, çka e bën mbështetjen e tij një faktor me peshë të veçantë në garën republikane.

Lini një koment