Muzeu Etnografik i Durrësit mirëpret vizitorët për të eksploruar trashëgiminë e Moisiut dhe traditat e qytetit
Ndërtesa e Muzeut Etnografik të Durrësit më parë u përfshi në një proces rikonstruksioni dhe në përfundim të kësaj ndërhyrje nisi edhe muzealizimi i saj, për të rihapur në vijim dhe dyert për vizitorët. Kjo ndërtesë karakteristike e shekullit XIX, e cila është shtëpia e fëmijërisë së aktorit të njohur Aleksandër Moisiut, është restauruar plotësisht në sajë të programit “EU4Culture”, të financuar nga BE dhe të zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Në faqen e “EU4Culture” ndër të tjera thuhet se sot ky monument kulturor mirëpret vizitorët për të eksploruar mbi trashëgiminë e Moisiut ashtu dhe traditat e pasura të qytetit. “A e dinit se Muzeu Etnografik i Durrësit është gjithashtu shtëpia e fëmijërisë së aktorit të njohur shqiptar Aleksandër Moisiu? I restauruar përmes programit “EU4Culture”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ky monument kulturor mirëpret vizitorët për të eksploruar si trashëgiminë e Moisiut, ashtu edhe traditat e pasura të qytetit.
Javën e kaluar, përfaqësues nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, UNOPS dhe Bashkia e Durrësit vizituan muzeun, së bashku me Drejtoreshën e Muzeut, duke eksploruar hapësirat e restauruara”, thuhet në faqen e programit “EU4Culture”. Një shembull i rrallë i arkitekturës së shekullit të 19-të dhe monument kulture i kategorisë së parë, ndërtesa u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit 2019. Përmes “EU4Culture”, ajo është restauruar, duke ruajtur vlerën e saj historike dhe arkitekturore për brezat e ardhshëm.