Thursday, 13 August 2026
54°F Detroit
BallinaArteTuristë francezë eksplorojnë Parkun Kombëtar të Tomorit

Turistë francezë eksplorojnë Parkun Kombëtar të Tomorit

Parku Kombëtar i Tomorit vijon të mirëpresë vizitorë vendas dhe të huaj, duke promovuar turizmin e qëndrueshëm dhe vlerat e natyrës shqiptare.

Gjatë eksplorimit të shtegut “Qafa e Skurës – Kalaja e Tomorit”, specialistët e AdZM Berat shoqëruan një grup turistësh nga Franca.

Ata ofruan shërbimin e guidës përgjatë gjithë itinerarit.

Përveç orientimit në terren, vizitorët u njohën me vlerat e pasura natyrore, historike dhe kulturore të Parkut Kombëtar “Mali i Tomorit”, duke përjetuar një eksperiencë unike mes peizazheve mbresëlënëse dhe trashëgimisë së vyer të kësaj zone.

Parku dallohet për biodiversitet të theksuar: shkurre mesdhetare, dushqe, ahishte, halorë dhe kullota subalpine e alpine. Bimësia përfaqësohet nga të 4 katet bimore të vendit. Gjithashtu, parku dallohet për botë shtazore shumë të larmishme: 11 lloje amfibësh, bretkosa barkverdhë, thithëlopa dhe tritoni me kreshtë; 19 lloje zvarranikësh, bolla laramane, bolla me katër vija, nepërka, breshka e zakonshme, etj. Në këtë park takohen edhe rreth 141 lloje shpendësh.

Prej kohësh, ky park kombëtar ka tërhequr vëmendjen e shqiptarëve, duke u bërë simbol i natyrës dhe pjesë e botës shpirtërore të tyre, por tashmë është destinacion i preferuar edhe i turistëve të huaj.

 

Lini një koment