Thursday, 13 August 2026
54°F Detroit
BallinaPolitikaEdlira Sako pas fitores në primare: “Nuk kërkoj mbështetje vetëm sepse jam shqiptare”

Edlira Sako pas fitores në primare: “Nuk kërkoj mbështetje vetëm sepse jam shqiptare”

Kandidatja demokrate për Senatin e Michiganit në Distriktin 24, Edlira Sako, ka reaguar pas debateve që kanë shoqëruar kandidaturën e saj, duke theksuar se mbështetjen e votuesve nuk e kërkon thjesht mbi bazën e origjinës shqiptare, por mbi programin, përvojën dhe angazhimin e saj në komunitet.

Në një postim në profilin e saj në Facebook, Sako thotë se ka lexuar me kujdes komentet e qytetarëve, përfshirë ato të personave që deklarojnë se nuk mund ta mbështesin për shkak se është demokrate apo për shkak të debateve politike dhe kulturore që janë zhvilluar në Michigan, mes tyre edhe çështja e flamujve në shkolla.

Sako argumenton se kandidatura e saj duhet parë përtej përkatësisë partiake dhe etnike. Ajo e përshkruan hyrjen në politikë si një sfidë të veçantë për një grua shqiptaro-amerikane të lindur jashtë Shteteve të Bashkuara dhe thotë se përfaqësimi i komunitetit nuk duhet të kufizohet te ideja që një kandidat shqiptar duhet të marrë vetëm votën e shqiptarëve.

Duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve paraprake, Sako thekson se fushata e saj nuk kishte burime të mëdha financiare, por arriti të fitonte me një diferencë prej rreth pesë pikësh. Sipas saj, rezultati tregoi se një pjesë e votuesve vlerësoi më shumë punën, ndershmërinë dhe angazhimin në komunitet sesa madhësinë e buxhetit të fushatës. Tani, ajo thotë se fokusi kalon te zgjedhjet e përgjithshme dhe te përpjekja për të arritur çdo komunitet të Distriktit 24.

Në postimin e saj Sako ndalet edhe te problemet konkrete të distriktit. Ajo përmend debatet për ndërtimin e qendrave të mëdha të të dhënave, projektet e zhvillimit dhe zgjerimin e rrugëve në Macomb Township dhe zona të tjera, duke kërkuar më shumë transparencë dhe përfshirje të qytetarëve në vendimmarrje. Njëkohësisht, ajo shprehet në mbështetje të rolit të prindërve në vendimet që lidhen me fëmijët e tyre, duke sjellë si shembull debatin rreth projektligjit HB 5727 dhe lejeve të punës për të miturit.

Një pjesë e postimit i drejtohet drejtpërdrejt debatit që zhvillohet shpesh edhe brenda komunitetit shqiptaro-amerikan, ku kundërshtarët politikë të demokratëve i lidhin politikat e së majtës amerikane me përvojën komuniste të Shqipërisë. Sako thotë se e ka jetuar periudhën e regjimit totalitar në Shqipëri dhe se nuk e harron atë, por kundërshton krahasimin e çdo debati politik amerikan me komunizmin.

“Amerika është një demokraci. Këtu ekzistojnë pikëpamje të ndryshme politike, të majta dhe të djathta, të cilat konkurrojnë brenda një sistemi demokratik. Debati është pjesë e demokracisë”, shkruan ajo.

Sako e lidh këtë qëndrim edhe me përvojën e saj si emigrante. Ajo kujton se familja e saj nisi jetën nga e para në Shtetet e Bashkuara, duke mësuar një gjuhë dhe kulturë të re dhe duke ndërtuar gradualisht jetën në Amerikë. Sipas saj, kjo përvojë ka ndikuar në bindjen se institucionet duhet të krijojnë mundësi për familjet dhe individët që punojnë për të ecur përpara.

Platformën e saj Sako e përmbledh me sloganin “From Banks to Gas Tanks”, duke e përqendruar te ekonomia dhe problemet që prekin drejtpërdrejt familjet: ulja e kostos së jetesës, kujdesi i përballueshëm për fëmijët, shëndeti fizik dhe mendor, arsimi, mbështetja për mësuesit dhe stafin e shkollave, si dhe krijimi i kushteve që familjet që punojnë të kenë më shumë siguri ekonomike.

Në fund të mesazhit, kandidatja shqiptaro-amerikane e bën të qartë se nuk kërkon një votë etnike automatike.

“Nuk kërkoj mbështetje vetëm sepse jam shqiptare. E kërkoj sepse besoj se përvoja ime, puna ime dhe vlerat e mia mund t’u shërbejnë të gjitha familjeve në Distriktin 24”, shkruan Sako.

Ajo shton se synon të përfaqësojë jo vetëm demokratët apo shqiptaro-amerikanët, por çdo banor të distriktit, duke e vendosur garën e saj mbi problemet e përditshme të qytetarëve dhe jo mbi etiketat partiake.

Lini një koment