28 Nëntori hyn në kalendarin zyrtar të qytetit të Nju-Jorkut, Dita e Pavarësisë do të përkujtohet çdo vit
Nga ky vit, 28 Nëntori do të ketë një vend të veçantë në kalendarin e qytetit të Nju-Jorkut, ku jetojnë mbi 100 mijë shqiptarë dhe amerikanë me origjinë shqiptare. Këshilli Bashkiak miratoi një rezolutë që njeh zyrtarisht Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e bërë atë një datë që do të përkujtohet çdo vit në metropolin amerikan, siç njofton Shqiptarja.com.
Rezoluta u miratua më 19 nëntor 2026 dhe u propozua nga këshilltarja Amanda C. Farías, së cilës iu bashkuan edhe tre këshilltarë të tjerë: Shirley Aldebol, Farah N. Louis dhe Frank Morano. Me këtë dokument, Këshilli Bashkiak nderon jo vetëm shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, por edhe kontributin që komuniteti shqiptaro-amerikan ka dhënë në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Nju-Jorkut.
Sipas të dhënave të cituara në rezolutë, banorët me origjinë shqiptare jetojnë në të pesë njësitë administrative të qytetit, me përqendrimin më të madh në Bronx dhe Staten Island.
Dokumenti i jep rëndësi edhe historisë së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke kujtuar mbështetjen amerikane për pavarësinë dhe shtetformimin shqiptar, dhe i jep festës kombëtare të shqiptarëve një njohje institucionale vjetore në Nju-Jork.