Eqrem Çabej, figurë e shquar e gjuhësisë shqiptare
46 vite më parë, më 13 gusht 1980, u nda nga jeta një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare Eqrem Çabej.
Ai lindi më 6 gusht të vitit 1908. Mësimet e para i mori në Gjirokastër, prej 1915 e deri më 1920. Braktisi fakultetin e mjekësisë në Romë, u regjistrua në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Gracit, e më pas në Universitetin e Vjenës, në Austri, ku dhe përfundoi studimet.
Pas mbarimit me sukses të studimeve universitare në Universitetin e Vjenës 25-vjeçari u kthye në Shqipëri, me dëshirën e madhe për të dhënë kontributin e tij në atdhe. Si fillim punoi si mësues në disa shkolla të mesme. Në 1947, ai u caktua anëtar i Institutit të Shkencave, instituti paraardhës i Universitetit të Tiranës. Nga 1952 deri më 1957, Çabej shërbeu si profesor i historisë së Shqipërisë dhe fonetikës historike. Në 1972, ai u bë anëtar themelues i Akademisë së Shkencave.
Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Vend zënë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare. Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të Gjuhës Shqipe të botuar në Tiranë, më 1980. Eqrem Çabej është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit”. Ndërroi jetë pak ditë pas ditëlindjes së tij së shtatëdhjetë e dytë, më 13 gusht të vitit 1980.