Filmi i animuar shqiptar “Arushi hap tokë të re” do të restaurohet
Një tjetër vepër e rrallë e trashëgimisë kinematografike shqiptare do t’i nënshtrohet restaurimit.
Bëhet fjalë për filmin e animuar “Arushi hap tokë të re”, prodhim i vitit 1979, me regji dhe pikturë të Tonin Vuksanit. Filmi, pjesë e fondit të filmave të animuar të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, do të restaurohet me mbështetjen e Endri Haxhiut, drejtor i përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), i cili është bërë pjesë e nismës “Adopto një Film për Restaurim”.
Lajmi u dha nga drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Eljan Tanini, i cili theksoi se nisma vijon të mbetet e hapur për të gjithë ata që duan të restaurojnë një film shqiptar, kronikë të kohës, dokumentar ose film të animuar.
Nisma synon të afrojë individë, institucione dhe mbështetës të tjerë me ruajtjen e trashëgimisë kinematografike shqiptare.
“Arushi hap tokë të re” është film vizatimor me ngjyra me skenar të Naum Priftit dhe muzikë të kompozitorit Gjon Simoni. Restaurimi i tij merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se bëhet fjalë për një periudhë kur animacioni shqiptar po zhvillonte gjuhën e vet artistike, përmes teknikave tradicionale të vizatimit dhe punës së piktorëve, animatorëve dhe regjisorëve brenda Kinostudios.