Friday, 14 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaMiliona njerëz në mbarë Evropën përballen me një valë të re temperaturash ekstreme

Miliona njerëz në mbarë Evropën përballen me një valë të re temperaturash ekstreme

Valët e përsëritura të të nxehtit dhe thatësira kanë nxitur një nga sezonet më të nxehta të zjarreve në histori dhe kanë kontribuar në vdekjen e mijëra njerëzve.

Miliona banorë në mbarë Evropën, veçanërisht në Francë, Itali, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar, u përballën të enjten me një valë të re temperaturash ekstreme, ndërsa vala e fundit e të nxehtit po intensifikohet në të gjithë kontinentin.

Më shumë se 135 milionë njerëz pritet të përjetojnë temperatura mbi 35 gradë Celsius, ndërsa në disa zona të Francës temperaturat kaluan 42 gradë. Në të njëjtën kohë, Mbretëria e Bashkuar regjistroi ditën më të nxehtë të këtij viti.

Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë dhe në shumë zona infrastruktura nuk është e përshtatur për të përballuar temperatura kaq të larta.

Shkencëtarët ia atribuojnë valët gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive të të nxehtit ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.

Valët e përsëritura të të nxehtit dhe thatësira kanë nxitur një sezon historik zjarresh dhe kanë ndikuar në humbjen e mijëra jetëve.

Temperaturat pritet të kalojnë 30 gradë Celsius për gati tre në pesë banorë të Evropës, ose rreth 340 milionë njerëz, sipas një analize të AFP-së të bazuar në parashikimet e Shërbimit Meteorologjik Gjerman dhe projeksionet e popullsisë për vitin 2025 të Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Bashkimit Evropian.

Këto të dhëna përputhen edhe me analizat e organizatës austriake Klimadashboard.

Në Francë, temperaturat vazhduan të rriten. Shërbimi meteorologjik Météo-France regjistroi 42.5 gradë Celsius në Châteaumeillant, temperatura më e lartë e regjistruar në vend gjatë së enjtes.

Në Paris temperatura arriti në 38 gradë Celsius, ndërsa pjesa më e madhe e vendit ishte nën paralajmërim për valë të nxehti.

Në Itali, temperatura të ngjashme pritet të prekin rreth 29 milionë njerëz, veçanërisht përgjatë bregdetit perëndimor, në Luginën e Posë, në jug të vendit dhe në ishuj.

Edhe pjesë të mëdha të Gadishullit Iberik po përballen me vapë ekstreme, ku rreth 25 milionë njerëz janë prekur në Spanjë.

Agjencia meteorologjike spanjolle Aemet regjistroi temperatura deri në 37 gradë Celsius në rajonet qendrore të vendit gjatë së enjtes.

Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat arritën ose tejkaluan 36 gradë Celsius në 40 zona të Anglisë qendrore dhe jugore.

Shërbimi Meteorologjik Britanik bëri të ditur këtë javë se vendi po regjistruan verën më të nxehtë në historinë e tij.

Temperaturë dhe zjarre

Vala e të nxehtit ka favorizuar edhe përhapjen e zjarreve në Evropë. Në veri të Greqisë, qindra turistë u evakuuan me anije pasi një zjarr pyjor iu afrua dy resorteve turistike shumë të frekuentuara. Ndërkohë, në rajonin West Midlands të Anglisë, zjarrfikësit po luftojnë me disa zjarre që kanë dëmtuar banesa, të favorizuara nga kushtet e thatësirës.

Analiza e AFP-së është bazuar në një metodologji të ngjashme me atë të Klimadashboard, duke kombinuar të dhënat mbi dendësinë e popullsisë me modelin e parashikimit të motit të Deutscher Wetterdienst (DWD), Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të Gjermanisë.

Banorët llogariten si të prekur nëse modeli parashikon temperatura mbi 30 ose 35 gradë Celsius në vendndodhjen e tyre në çdo moment të ditës.

Megjithatë, për shkak se modeli ka një rezolucion prej rreth 6.5 kilometrash, ai nuk pasqyron plotësisht efektin e ashtuquajtur “ishulli i nxehtësisë urbane”, fenomeni ku qytetet janë dukshëm më të nxehta se zonat rurale përreth.

Për këtë arsye, sipas organizatës Klimadashboard, analiza ka të ngjarë të nënvlerësojë numrin real të njerëzve të prekur, veçanërisht në zonat urbane me dendësi të lartë popullsie. Euronews.com

Lini një koment