Berisha flet për ‘shtator të zjarrtë’, zyrtari i PD: Politika kërkon moral…
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka deklaruar se opozita duhet të ndryshojë qasje dhe të rikthejë besimin e qytetarëve, në prag të aksionit politik të paralajmëruar nga Sali Berisha për një shtator të zjarrtë.
“Politika do moral, që njerëzit të të besojnë. Ti duhet të jesh i moralshëm dhe të kesh pranë vetes njerëz të moralshëm që nuk t’i kap njeri prej xhakete. I kam bërë paralajmërime dhe kërkesë zyrtare partisë time se nuk mund të kesh njerëz të lidhur me tendera, me qeverinë më të korruptuar të Europës sot, që është qeveria Rama në krye të strukturave drejtuese. Më fal, po budalla i di shqiptarët? Të marrë janë shqiptarët që të shkojnë pas dikujt i cili paradite ngopet me tendera dhe pasdite bën opozitarin? Kjo është vija morale. Kam bërë kërkesë zyrtare për desorifikim dhe ndarje përfundimtare me njerëzit të cilët lidhin xhepin me politikën”, tha Hoxha në Puls me Bruna Çifligun në A2 CNN.
I pyetur nëse ka PD një plan konkret se si do ta vijojë opozitarizmin e saj me nisjen e sesionit të ri parlamentar në shtator, Hoxha u përgjigj:
“Zoti Berisha i ka shifrat mbi tavolinë. i di kush janë pozitat e PD-së, sa është pëlqyeshmëria publike e PD-së, sa është pëlqyeshmëria politike tek elektorati jonë, e liderit, e partisë, e strukturës drejtuese dhe të reflektoj mbi ato shifra, të siguroj që ka aftësinë për të marrë vendimet e duhura. Sot jemi larg pritshmërisë së opozitarëve, të cilët për fatin e mirë për herë të parë në Shqipëri janë shumicë në këtë vend. Për sa kohë gjithë parlamenti dhe partitë bashkë janë nën 50% dhe do ishte mirë që PD-ja të kishte ndërmarrë ato veprime të cilat e afronin me situatën që po vjen në shtator. Kur thuhet shtator i zjarrtë, nuk nënkuptohet luftë guerrile, por nënkuptohet rritja e presionit politik, sidomos nga SHBA-ja përmes ardhjes së ambasadorit të ri, zotit Ëend, i cili ka shpallur prioritetet e veta, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos kjo e dyta, e cila është ulur këmbëkryq në Shqipëri, janë përfituesit direkt dhe investitorët direkt të këtyre kullave të mëdha. E kanë kthyer vendin tonë në një lavatriçe gjigante të pastrimit të parave”, tha Hoxha në Puls me Bruna Çifligun në A2 CNN.
Hoxha theksoi se PD-ja është aktualisht larg pritshmërive të opozitarëve dhe apeloi për ndërmarrjen e reformave të thella brenda strukturave të saj dhe të garantojë një standard më të lartë moral.
“Unë mendoj që sot interesi i demokratëve, i opozitarëve në tërësi, të cilët janë mazhorancë në këtë vend, për herë të parë pas shumë e shumë vitesh, opozitarët, jo votuesit të PD-së janë mazhorancë në këtë vend, do të duhet të gjendet rruga, mekanizmi që këta opozitarë t’i mbledhin votat në një kuti. A gjendet kjo rrugë? Gjendet. A kanë mundësi ta bëjnë? Kanë. A janë duke e bërë? Jo, akoma. Shpresojmë që javët e ardhshme të kenë gjithë kohën për të kuptuar se me një kovë bojë nuk mbulon dot asnjë karakatinë që ta bësh duket më e bukur dhe më moderne, por do duhet një reformë e thellë serioze për t’i paraprirë politikisht asaj që po vjen. Nëse ky është misioni që ta rrisim PD-në dhe ta çojmë forcë qeverisëse”.
Sipas tij, protesta qytetare që po zhvillohet prej muajsh ka ndryshuar skenën politike dhe ka treguar rënien e besimit ndaj partive.
“Protesta i ka bërë një nder të madh vendit sa nuk e imagjinoni dot, sepse këtu kishte një monopolizim të skenës politike. A thua se një grup i vogël njerëzish kanë gjithmonë të drejtë marrin vendime për pjesën tjetër. Ajo që ka bërë protesta, ajo që i ka bërë politikës shqiptare protesta është defaktorizim absolut i të gjitha palëve. Janë ulur të gjitha palët. Të gjitha palët janë nën 50% të dalin të kundërshtojmë publikisht dhe jam gati të dal dhe t’i kundërshtoj me fakte. Janë nën 50% janë nën 50% çka tregon se dyqanet politike u kthyen kioska kështu që është serioze për ta kuptuar se kush është pozicioni i secilës prej partive se çfarë duan të bëjnë të ardhmen. Partia Demokratike me vepra nuk ka kuptuar asgjë. Unë njerëzit mund të bëhen deklarata çdo ditë edhe unë mund të dalë bëj çdo ditë nga një deklaratë por nëse veprimet nuk përputhen me deklaratat pastaj tregon që këtu ka hipokrizi. Protesta do të prodhojë kushtet që këtu të ketë ndryshime rrënjësore. Nëse s’e bën PD-ja, shoqëria ec përpara dhe nuk e pret PD-në”.