Friday, 14 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaAvioni luftarak i NATO-s rrëzon një dron në hapësirën ajrore të Letonisë

Avioni luftarak i NATO-s rrëzon një dron në hapësirën ajrore të Letonisë

Një avion luftarak italian, i cili merr pjesë në një mision të NATO-s, rrëzoi të premten, një dron me origjinë të panjohur që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Letonisë, vend anëtar i NATO-s dhe i BE-së, në kohën kur Ukraina po kryente sulme ndaj porteve ruse, njoftuan Aleanca dhe autoritetet letoneze.

Ushtarët letonezë po kërkonin deri në mesditë mbetjet e dronit në një zonë të pyllëzuar pranë fshatit Rugaji, rreth 35 kilometra nga kufiri i vendit me Rusinë, i cili është përcaktuar si vendi i mundshëm i rrëzimit.

“Nuk mund të japim informacion për origjinën e dronit, pasi zona ende nuk është hetuar”, deklaroi zëdhënësja e ushtrisë letoneze, Iveta Berziņa, për transmetuesin publik LSM.

Dronët ushtarakë ukrainas kanë hyrë disa herë këtë vit në hapësirën ajrore të vendeve baltike.

Para incidentit të së premtes, Ukraina kishte kryer gjatë natës sulme ndaj porteve ruse pranë Shën Petersburgut, qytet që ndodhet në një distancë të shkurtër nga Finlanda dhe vendet baltike.

Guvernatori i rajonit, Aleksandër Drozdenko, deklaroi përmes Telegramit se forcat ruse rrëzuan 15 dronë ukrainas gjatë sulmeve.

Dy avionë luftarakë italianë Eurofighter u ngritën nga Lituania, ndërsa dy avionë turq F-16 u ngritën nga një bazë në Estoni, pas zbulimit të dronit në hapësirën ajrore të Letonisë, deklaroi zëdhënësja e NATO-s, Alison Hart.

Njëri prej avionëve Eurofighter e lokalizoi dhe e rrëzoi dronin.

“Të gjithë avionët vepronin nën komandën e NATO-s. Hetimi është në vazhdim dhe NATO është në kontakt të ngushtë me autoritetet letoneze. NATO është e gatshme dhe e aftë të reagojë ndaj çdo kërcënimi të mundshëm, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, për të mbrojtur territorin tonë dhe njerëzit tanë”, deklaroi Hart.

Lini një koment