KOMENT – BE ripohon autoritetin e saj përballë presionit të ri tregtar amerikan
BRUKSEL, 14 gusht /ATSH-AFP/ – Komisioni Evropian riafirmoi sot autonominë e tij rregullator, pas presionit të ripërtërirë tregtar të SHBA-së në lidhje me direktivat e reja të BE-së mbi standardet mjedisore dhe të drejtat e njeriut në zinxhirët e furnizimit.
”Bashkimi Evropian vazhdon të angazhohet në diskutime, si për çështjet tarifore ashtu edhe për ato jotarifore, me Shtetet e Bashkuara”, tha zëdhënësja e Komisionit, Arianna Podesta, por, shtoi ajo, “ne kemi qenë shumë të qartë dhe të qëndrueshëm se as korniza jonë rregullatore dhe as autonomia jonë rregullatore nuk janë të negociueshme”.
Ambasadori i SHBA-së në BE, Andrew Puzder, më herët sot i kishte bërë thirrje BE-së të “përputhë” dispozitat e dy direktivave të reja kryesore mbi standardet mjedisore dhe të drejtat e njeriut në zinxhirët e furnizimit me marrëveshjen tregtare BE-SHBA të përfunduar vitin e kaluar.
“Tani është koha që BE-ja të përmbushë angazhimet e saj”, postoi Puzder në X, duke bashkëngjitur një dokument të qeverisë amerikane që detajonte një listë të gjatë shqetësimesh në lidhje me këto rregulla.
“Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të adresuar barrën e panevojshme të vendosur mbi tregtinë amerikane në mungesë të një zgjidhjeje që adreson këto shqetësime”, paralajmëron dokumenti.
Direktiva e Kontrollit të Duhur të Qëndrueshmërisë Korporative kërkon që kompanitë e mëdha të adresojnë “ndikimet negative të të drejtave të njeriut dhe mjedisit” të zinxhirëve të tyre të furnizimit në mbarë botën, ndërsa Direktiva e Raportimit të Qëndrueshmërisë Korporative kërkon që ato të japin informacion mbi ndikimin e tyre në klimë dhe emetimet, si dhe masat e marra për t’i zvogëluar ato.
“Shtrirja jashtëterritoriale e këtyre direktivave, së bashku me kërkesat e kushtueshme dhe të rënda të kontrollit të dukurisë së zinxhirit të furnizimit, do të dëmtojnë aftësinë e kompanive amerikane për të konkurruar në një nivel të barabartë në tregun e BE-së”, thuhet në dokumentin e SHBA-së.
BE-ja tashmë e ka zvogëluar fushëveprimin e dy ligjeve nën presionin e bizneseve, si brenda ashtu edhe jashtë bllokut, duke vonuar zbatimin e tyre dhe duke kursyer kompanitë më të vogla, por dokumenti i SHBA-së beson se kjo nuk mjafton./ a.jor.