Saturday, 15 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaI drejtoi armën në kokë, detaje tronditëse nga atentati në Elbasan, ja si shpëtoi shënjestra

I drejtoi armën në kokë, detaje tronditëse nga atentati në Elbasan, ja si shpëtoi shënjestra

Detaje të reja dalin në dritë lidhur me incidentin e rëndë me armë zjarri të regjistruar mesditën e kësaj të shtune në një lokal të njohur në qytetin e Elbasanit, ku Mir Bitoci dyshohet se ka qenë objektivi i një atentati.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 14:50, në momentin kur Bitoci po largohej nga ambientet e lokalit. Sipas të dhënave paraprake, pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm kanë ndihmuar hetuesit në rindërtimin e dinamikës së incidentit.
Në pamjet filmike shfaqet Bitoci, i veshur me bluzë të zezë, duke qëndruar fillimisht brenda lokalit. Pas disa minutash, ai ngrihet nga tavolina dhe largohet nga ambientet e brendshme. Në të njëjtën kohë, një tjetër person, i cili ndodhej në lokal duke konsumuar kafe në shoqërinë e një shtetaseje, ngrihet dhe e ndjek nga pas.
Sipas të dhënave paraprake, pasi ka dalë jashtë lokalit, personi i veshur me bluzë të bardhë i është afruar Bitocit nga pas dhe i ka drejtuar një armë zjarri në pjesën e pasme të kokës.

Në këtë moment, reagimi i shpejtë i Bitocit dyshohet se ka shmangur një tragjedi. Ai ka arritur të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa një tjetër element që po verifikohet nga grupi hetimor është dyshimi se pistoleta e autorit të dyshuar është bllokuar në momentin kur ai ka tentuar të qëllojë.
Nëse kjo rrethanë konfirmohet nga ekspertiza balistike, ajo mund të jetë një prej elementeve të rëndësishme për përcaktimin e natyrës së ngjarjes dhe nëse bëhet fjalë për një tentativë të drejtpërdrejtë vrasjeje.
Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal, me qëllim përcaktimin e mënyrës se si është zhvilluar ngjarja, nëse personi i dyshuar e ka ndjekur qëllimisht Bitocin dhe cili ka qenë motivi i përplasjes.

Hetuesit po mbështeten në dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal, por edhe në pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat kanë regjistruar lëvizjet e personave të përfshirë para, gjatë dhe pas incidentit.

Këto pamje pritet të ndihmojnë në përcaktimin e mënyrës se si është organizuar përplasja, nëse personi i dyshuar e ka ndjekur qëllimisht Bitocin dhe cili ka qenë motivi i kësaj ngjarjeje.

Deri tani, motivi mbetet i paqartë dhe pritet të jetë një prej pikave kryesore të hetimit. Emri i Mir Bitocit nuk është i panjohur në zonën e Elbasanit.

Sipas të dhënave të publikuara dhe informacioneve që qarkullojnë prej vitesh, emri i tij është përmendur në lidhje me episode të periudhës së trazuar të viteve 1997–2000.Më pas ai më së shumti ka jetuar jashtë.

Lini një koment