Katër piktura të Rilindjes u vodhën nga Muzeu Rajonal i Messinës
Katër piktura të periudhës së Rilindjes, të cilat konsiderohen me vlerë të jashtëzakonshme, u vodhën të shtunën vonë nga Muzeu Rajonal Ndërdisiplinor i Messinës në Sicili.
Siç raporton CBS News, nga muzeu u morën tre panele të Polioptikut të Shën Gregorit dhe një panel dykahësh i Madonna e Fëmija, të gjitha atribuohen Antonello da Messina dhe i përkasin shekullit të 15-të, sipas Ministrisë së Kulturës së Italisë.
Polioptiku, që është një pikturë e ndarë në disa panele, ka qenë pjesërisht i dëmtuar pas tërmetit të vitit 1908 dhe më parë përbënte të paktën pesë seksione të veçanta. Piktura e Madonna e Fëmija figuron në faqen e shtëpisë së ankandeve Christie’s si një vepër që ishte shitur për më shumë se 300,000 dollarë në vitin 2003.
Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, shfaqi hidhërim dhe keqardhje për vjedhjen e këtyre veprave, duke theksuar se ato kanë vlerë të jashtëzakonshme për trashëgiminë kulturore. Kryetari i bashkisë së Messinës, Federico Basile, e quajti rastin një “akt kriminal i rëndë” dhe tha se ishte thellësisht i zemëruar që ajo ndodhi gjatë festimeve tradicionale në nder të Virgjërës. “Shpresojmë që përgjegjësit të identifikohen dhe që veprat tona të kthehen në shtëpi,” shkruante Basile, duke shtuar se Messina nuk do ta lejojë historinë e saj të vidhet.
Sipas CBS News, vjedhja vjen disa muaj pas blerjes nga shteti italian në një ankand në Nju Jork të pikturës “Ecce Homo” nga Antonello da Messina për afër 15 milionë dollarë; hetimet për ngjarjen vazhdojnë.