Sunday, 16 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaPjesë e trafikut të drogës, ekstradohet Xhuljano Hoxha. Një tjetër arrestohet në Rinas

Pjesë e trafikut të drogës, ekstradohet Xhuljano Hoxha. Një tjetër arrestohet në Rinas

Interpol Tirana ka kryer ekstradimin nga Londra të Xhuljano Hoxha, 31 vjeç, lindur në Berat. Çështja lidhet me një operacion të zhvilluar më 10 nëntor 2022, në fshatin Drenovicë të qarkut Berat, ku nga hetimet e SPAK rezulton se Xhuljano Hoxha, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.

Hoxha u shpall në kërkim gjatë megaoperacionit të koduar “Stuhia”, ku Policia sekuestroi në fshatin Drenovicë rreth 870 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Pas arrestimit në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Manchester dhe Interpol Tirana, u bë i mundur ekstradimi i 31-vjeçarit drejt Shqipërisë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në prill të vitit 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

Po ashtu në Rinas, është arrestuar me qëllim ekstradimin, 43-vjeçari Bujar Buja, lindur në Gjakovë, Kosovë dhe banues në Amsterdam, Holandë.

Buja ishte shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle, për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike, të parashikuara nga Kodi Penal Spanjoll.

Nga hetimet e zhvilluara nga Policia Gjyqësore Spanjolle është bërë i mundur identifikimi i një organizate kriminale të qëndrueshme, e cila dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës. Organizata kishte bazën kryesisht në Costa del Sol, ndërsa aktivitetin e shtrinte edhe në zona të ndryshme të territorit spanjoll.

Sipas hetimeve, Bujar Buja dyshohet se ishte i përfshirë në transportin e lëndës narkotike.

Pas mbërritjes në Rinas, ai është arrestuar provizorisht nga autoritetet shqiptare, në pritje të procedurave të mëtejshme për ekstradimin e tij drejt Spanjës, ku kërkohet për t’u përballur me drejtësinë.

Lini një koment