Sunday, 16 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaKLP i mohoi të drejtën për tu bërë prokuror, Strasburgu i jep të drejtë Shiqiri Manjanit

KLP i mohoi të drejtën për tu bërë prokuror, Strasburgu i jep të drejtë Shiqiri Manjanit

Kur gjyqtari Bezart Kackini foli në Top Albania Radio për një drejtësi e cila nuk duhet të jetë përndjekëse, ai tha se kishte parasysh fatin e Shiqiri Manjanit. Ndonëse doli me rezultate të shkëlqyera dhe fitoi magjistraturën për prokuror, Manjani u ndëshkua për shkak të fëmijërisë.

Në moshë të mitur, Manjani ishte konstatuar nga policia në një ngjarje banale dhe emri i tij ishte shkruar në kartelat e policisë. Për shkak të kësaj të kaluare, në vitin 2020 KLP nuk e lejoi të ndiqte shkollën në profilin prokuror.

Por siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, pas një beteje disa vjeçare në gjykatat vendase, të cilat vendosën se kushdo që hyn në drejtësi duhet të jetë i virtytshëm, ai fitoi në Strasburg.

Megjithëse Gjykata Europiane urdhëroi Shqipërinë që të rihapë procesin, pasi autoritetet kishin shpërfillur moshën e kërkuesit, e cila duhet të ishte respektuar sipas parimeve të riintegrimit, vendimi nuk është bërë ende i zbatueshëm.

Shiqiri Manjani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që të detyrojë KLP-në të zbatojë vendimin e Strasburgut dhe ta lejojë të përgatitet për prokuror në vitin akademik 2026-2027.

Për herë të parë, çështja e Shiqiri Manjanit u tregua në Exclusive me temë “Fëmijët tanë”. Ndërsa, siç raportoi në atë kohë TCH, Strasburgu konstatoi se aplikanti po rivuante nga institucionet një ngjarje ku ishte përfshirë fëmijë, ndërkohë që ai ishte rehabilituar.

Shiqiri Manjani, sot oficer, i frymëzuar, përmendet si shembull frymëzues për fëmijët në Institutin e të Miturve në Kavajë.

Kazusi Manjani është një histori e investiguar dhe e raportuar vazhdimisht nga TCH, patjetër është një histori për mundësitë e dyta, për të rinjtë që kërkojnë modele dhe që luftojnë t’ia dalin.

Lini një koment