Zjarr në Mackinac Island dyshohet se u shkaktua nga bateria e një biciklete elektrike
MACKINAC ISLAND, Mich. – Një zjarr i ndodhur gjatë fundjavës në ishullin turistik Mackinac Island dyshohet se është shkaktuar nga shpërthimi i një baterie e-bike brenda një ndërtese.
Sipas autoriteteve, tymi u vu re rreth orës 7:30 të mëngjesit, të shtunën, më 25 prill, nga një ndërtesë në Cadotte Avenue. Drejtori i mirëmbajtjes së Chippewa Hotel, Roy Shryock, njoftoi menjëherë shërbimet emergjente duke telefonuar 911 dhe tentoi të kontrollonte flakët deri në mbërritjen e zjarrfikësve.
Autoritetet bëjnë të ditur se energjia elektrike në ndërtesë ishte ndërprerë më herët për shkak të përmbytjeve, dhe bateria nuk ishte në proces karikimi në momentin e shpërthimit.
Zjarrfikësit hynë në godinë, shuan flakët dhe nxorën baterinë e djegur të biçikletës elektrike përmes një dritareje. Sipas raportimeve, bateria ishte ruajtur brenda një çante të posaçme “kundër shpërthimit”, por kjo nuk arriti të përmbajë shpërthimin.
Ky është rasti i 10-të i një zjarri të lidhur me e-bike në Mackinac Island. Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi një shpërthim i ngjashëm i një baterie e-bike shkaktoi vdekjen e një banori në Gadishullin e Sipërm të Michiganit.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të incidentit dhe për të vlerësuar rreziqet që lidhen me përdorimin dhe ruajtjen e baterive litium për mjetet elektrike.