Tritoli i shkatërroi gjysmën e banesës, Ylli Zalla: Policia dhe bandat po tentojnë të më vrasin
Report Tv ka siguruar pamje nga pasojat e shkaktuara nga shpërthimi me tritol gjatë natës në banesën e Ylli Zallës në fshatin Zall në Fushë-Krujë.
Nga pamjet duket se sasia e lëndës plasëse ka qenë e konsiderueshme, pasi rreth gjysma e banesës ka dalë jashtë përdorimit.
Ndërkohë pranë banesës është shfaqur edhe vetë Ylli Zalla, i cili ndodhet në kërkim për atentatin në Rinas.
Përmes një videoje, Zalla mohon se tritolin e ka vendosur vetë për të marrë azil politik, teksa akuzon Policinë dhe bandat e krimit të organizuar se po përpiqen ta vrasin.
“Unë Ylli Zalla në nëntor 2025 vjen Policia e Shtetit më akuzon për lidhjen e Rinasit. Hyjnë makina, dalin makina. Pa ekspertizë e pa asnjë lloj prove më ngatërrojnë me bandat. Kalojnë disa muaj dhe gjejnë armatim, Ylli Zalla s’ka armatim. Pas kësaj, në qershor 2026, në datën 22 më vijnë Policia e Shtetit pas shtëpie me më vra vdek e në tokë. Unë jam hallexhi, kam fëmijët pa bukë. Ja çfarë më ka bërë mua Policia e Shtetit. Unë dyshoj te Policia dhe bandat. Gazetarët flasin kot, thonë kërkon azil. Unë nuk kërkoj azil, nuk largohem nga prona ime”, thotë mes të tjerash Zalla.
Ylli Zalla është shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025, pasi është i dyshuar si bashkëpunëtor në atentatin e Rinasit. Më pas, në 20 shkurt të këtij viti, atij iu gjet edhe një arsenal armësh, me të cilat dyshohet se furnizonte grupet kriminale.