Tuesday, 18 August 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaPDK e Aleanca kritikojnë LVV-në për zvarritjen e konstituimit, përmendet 27 dhjetori si “datë e zgjedhjeve”

PDK e Aleanca kritikojnë LVV-në për zvarritjen e konstituimit, përmendet 27 dhjetori si “datë e zgjedhjeve”

Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, dhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri u janë drejtuar mediave në hollin e Kuvendit të Kosovës, pas deklarimeve të tyre në sallën plenare lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit.

Çitaku ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke thënë se nga ta nuk pranon “leksione politike e morale”.

Ajo ka deklaruar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe se të zgjedhurve të popullit u kërkohet që ta konstituojnë Kuvendin brenda afatit të përcaktuar.

“Zonja Haxhiu ka qenë edhe ministre e Drejtësisë dhe e vetmja gjë që mbaj mend janë nismat ligjore që kanë përfunduar në Kushtetuese dhe kanë rezultuar me shkelje të Kushtetutës”, ka thënë Çitaku.

Duke folur për KQZ-në, Çitaku ka thënë se ky institucion është i pavarur dhe ka akuzuar LVV-në se, sipas saj, synon defunksionalizimin e institucioneve.

Ajo ka bërë të ditur se PDK-ja mund t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me përfaqësimin e partisë në KQZ.

Ndërkohë, Besnik Tahiri ka thënë se vazhdon të mungojë hapi për konstituimin e Kuvendit dhe se aktualisht nuk ka vullnet politik për një marrëveshje që do të mundësonte formimin e qeverisë.

Tahiri ka përsëritur se Aleanca e mbështet konstituimin e të gjitha institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.

“Aleanca është zotuar si partia e parë që është e gatshme që votat në Kuvend t’i ofrojë për një president konsensual”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, strategjia që po ndjek aktualisht LVV-ja ka të bëjë me kohën dhe presionin politik për një qëllim tjetër, për të cilin, siç tha, partitë tjera nuk e dinë se cili është.

Tahiri ka thënë se Aleanca është e gatshme t’i ofrojë shtatë votat e saj, por me kusht që të merren parasysh gjashtë pikat e propozuara nga kjo parti.

“Ne do t’i ofrojmë shtatë votat tona, me kusht të miratimit të gjashtë pikave tona. Ne e kemi një kërkesë të thjeshtë, deklarohu për gjashtë pikat tona, sepse asnjë deklarim nuk ka pasur”, ka thënë ai.

Tahiri ka paralajmëruar se Aleanca nuk synon të heqë dorë nga kërkesat e saj, duke kundërshtuar mundësinë që, sipas tij, LVV-ja të tentojë t’i vendosë partitë tjera nën presion për zgjedhje të reja.

Ai ka përmendur edhe datën 27 dhjetor, duke thënë se nëse synohet një skenar i tillë, kjo datë, sipas tij, do të mund të rezultonte në humbje të madhe për Kurtin.

Deklaratat e Çitakut dhe Tahirit vijnë në një kohë kur Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për tejkalimin e ngërçit institucional.

Lini një koment