Tuesday, 18 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaGjykata e Lartë britanike bllokoi ekstradimin e 5 të dyshuarve për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, Supremja pranon apel

Gjykata e Lartë britanike bllokoi ekstradimin e 5 të dyshuarve për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, Supremja pranon apel

Drejtësia shqiptare ka hedhur një tjetër hap në këmbënguljen për të ekstraduar nga Anglia në Shqipëri pesë të dyshuarit nën akuzë për përfshirje në ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulajt.

Një zëdhënëse e Gjykatës Supreme në Londër i konfirmoi gazetarit Muhamed Veliu, se kjo gjykatë ka pranuar tashmë kërkesën e shtetit shqiptar për të apeluar vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila bllokoi ekstradimin.

Janë Lord Lloyd-Jones, Lord Burrows dhe Lady Rose, tre anëtarët e Gjykatës Supreme angleze, të cilët i dhanë dritën jeshile drejtësisë shqiptare në kërkesën për apelim.

Në muajt në vazhdim, kjo gjykatë do të shqyrtojë nëse ishte i drejtë vendimi i Gjykatës së Lartë në Londër, e cila e bllokoi ekstradimin me kërkesën e mbrojtjes, pasi Yvette Cooper, ish-sekretarja e shtetit për punët e brendshme, kishte gabuar me emërtimin e akuzave kur lëshoi certifikatat e ekstradimit.

Në gusht 2024, Gjykata e Ekstradimeve në Londër pranoi kërkesën e Shqipërisë për të ekstraduar Edmond Haxhinë, Harry Simpson, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman, me akuzën “vrasje me paramendim”.

Por, siç edhe Top Channel ekskluzivisht e raportoi, sekretarja e shtetit gabimisht në certifikatën e ekstradimit vendosi akuzat e vjetra “Vrasja për shkak të gjakmarrjes” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.

Më pas, në maj 2026, Gjykata e Lartë pranoi apelimet e të pestëve, duke u bazuar në mospërputhjen midis kërkesave për ekstradim dhe asaj çfarë kishte firmosur sekretarja e shtetit dhe, si pasojë, urdhrat e ekstradimit u shfuqizuan.

Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Harry Simpson dhe Steven Hunt, që vijojnë të mbahen në një paraburgim të Londrës, ndërsa Harriet Bridgeman e lirë me kusht, akuzohen nën dyshimin se kanë marrë pjesë në një plan që çoi në vrasjen e Ardian Nikulajt.

Për këtë vrasje, disa muaj më parë, Gjykata e Lezhës dënoi me burgim të përjetshëm Ruben Saraivën.

Lini një koment