Zbardhen emrat e 3 të rinjve që humbën jetën në aksidentin e rëndë në Durrës, po ktheheshin nga një lokal nate
Një aksident i rëndë tragjik ka ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure në rrugën dytësore të Manzës, në Durrës, duke shkaktuar tre viktima dhe dy të plagosur rëndë.
Në automjet ndodheshin pesë të rinj, të gjithë banues në Sukth. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën Kleo Vrioni, 25 vjeç, Sara Brugentelli, 26 vjeç, shtetase e huaj, dhe Alvi Muhaxhiri, 15 vjeç.
Ndërkohë, Rejsi Vrioni, 25 vjeç, dhe Klevis Dervishi, 16 vjeç, janë dërguar në Spitalin e Traumës, ku ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë me të cilën po lëvizte automjeti, i drejtuar nga 25-vjeçari Kleo Vrioni.
Mësohet se të rinjtë po ktheheshin nga Gjiri i Lalzit, ku kishin qenë në një party në zonë.
Një tjetër pistë që po verifikohet nga hetuesit është nëse drejtuesi i automjetit ka qenë apo jo nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit. Për këtë priten rezultatet e ekspertizave dhe analizave përkatëse.
Policia dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet për përcaktimin e saktë të dinamikës së aksidentit dhe shkaqeve që çuan në këtë ngjarje tragjike.